Leksion i hapur me kandidatët për magjistratë të vitit të dytë

Në kuadër të bashkëpunimit me projektin e Këshillit të Evropës “Forcimi i kapaciteteve të gjyqësorit shqiptar për të zbatuar më mirë standardet mbi të drejtën e lirisë dhe sigurisë” u zhvillua një leksion i hapur me kandidatët për magjistratë të vitit të dytë me tematikë njohjen me jurisprudencën e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut mbi të drejtën e lirisë dhe sigurisë.

Gjatë aktivitetit u trajtuan kriteret e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut kur vendosin për masat parandaluese, me fokus në paraburgimin, si dhe u bë një analizë e disa vendimeve kryesore nga Gjykata, duke theksuar rëndësinë e vendimeve të arsyetuara mirë që adresojnë në mënyrë të plotë faktet e secilit rast. Gjithashtu, u nënvizua nevoja për të marrë në konsideratë masa alternative ndaj paraburgimit.

Studentët ndanë shembuj nga përvojat e tyre dhe shprehën interes të madh për të mësuar rreth standardeve të vendosura nga Këshilli i Evropës mbi paraburgimin, masat parandaluese dhe heqjen e lirisë.