Rregullorja e Botimeve

RREGULLORJA E BOTIMEVE TË TEKSTEVE SHKENCORE TË SHKOLLËS SË MAGJISTRATURËS DHE E REVISTËS “JETA JURIDIKE”

 

Neni 1

Natyra dhe qëllimi i botimit të teksteve dhe revistës “Jeta Juridike”

1.1 "Shkolla e Magjistraturës boton nën emrin dhe kujdesin e  saj revistën “Jeta Juridike”, revistë periodike katërmujore, që botohet në gjuhët shqipe dhe një abstrakt në gjuhën angleze”.

1.2  Shkolla e Magjistraturës boton tekste dhe libra, të cilët trajtojnë probleme ligjore të lidhura ngushtë me programet e lëndëve dhe kurseve të trajnimit fillestar e vazhdues të gjyqtarëve dhe prokurorëve, duke synuar në unifikimin dhe analizimin e praktikës gjyqësore dhe juridike kombëtare dhe ndërkombëtare. Kjo do të thotë që tekstet me karakter publicistik, historik dhe tërësisht teorikë, të pa ilustruar me praktikë gjyqësore nuk janë në objektin dhe qëllimin e botimeve të Shkollës.

1.3 Tekstet e Programit të Formimit Fillestar dhe Vazhdues të Shkollës së Magjistraturës do të konsiderohen tekste shkencore. Ato do të botohen nën drejtimin dhe kujdesin e këtij institucioni në rastet kur përmbushin kriteret e nenit 4 të kësaj Rregulloreje.

1.4 Botimi i teksteve dhe i revistës synon të plotësojë literaturën juridike me njohuri praktike dhe teorike në ndihmë të gjyqtarëve, prokurorëve që përgatiten rishtas nga Shkolla e Magjistraturës, si dhe në ndihmë të gjyqtarëve e prokurorëve në detyrë, të avokatëve e të përfaqësuesve të tjerë të profesioneve ligjore në procesin e formimit vazhdues. Gjithashtu, revista iu shërben avokatëve, juristëve dhe studentëve të fakulteteve të drejtësisë në vend, për të nxitur diskutime dhe debat juridik, të japë informacion mbi të rejat në legjislacion, të ofrojë njohuri mbi institute të së drejtës nën një vështrim krahasues, si dhe të japë një informacion për veprimtaritë e Shkollës së Magjistraturës në fushën e Formimit  Vazhdues dhe të Formimit Fillestar të gjyqtarëve dhe prokurorëve.