Veprimtaria e Shkollës së Magjistraturës

Krijimi i Shkollës së Magjistraturës së Shqipërisë ishte një ngjarje e rëndësishme që erdhi si rezultat i bashkëpunimit të shtetit shqiptar me Këshillin e Evropës dhe me Komisionin Evropian, i cili ndryshoi thelbin e rekrutimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Shkolla e Magjistraturës e Republikës së Shqipërisë u krijua si një institucion publik, me autonomi administrative, akademike dhe financiare. Buxheti i përafërt i saj është 1.500.000 euro në vit.

Ajo filloi veprimtarinë e saj mësimore shkencore në Tetor të vitit 1997, dhe është e vendosur në Tiranë, kryeqyteti i Shqipërisë.

 

Në zbatim të ligjit nr. 115/2016, “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, ligjit nr. 96/2016, “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, ligjit nr. 98/2016, “Për organizimin e Pushtetit Gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”, ligjit nr. 97/2016, “Për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”, ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, Shkolla e Magjistraturës e Republikës së Shqipërisë realizon aktivitetin e saj në këto drejtime:

a)       në rekrutimin dhe formimin fillestar të kandidatëve për magjistratë, për pozicionet në Avokaturën e Shtetit, për ndihmës ligjorë dhe për kancelarë në gjykata dhe prokurori;

b)      në formimin profesional vazhdues të magjistratëve në detyrë, të avokatëve të shtetit në detyrë, ndihmësve ligjorë dhe kancelarëve në detyrë, në gjykata dhe prokurori, si dhe profesioneve të tjera ligjore;

c)       në fushën e publikimeve dhe të kërkimeve shkencore.

 

Gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve e prokurorëve, veprimtaria e Shkollës së Magjistraturës do të jetë e orientuar edhe në drejtim të:

a)      realizimit të testimit për këshilltarët ligjorë të Gjykatës Kushtetuese, për ndihmësit ligjorë të Gjykatës së Lartë, Gjykatës Administrative, si dhe për ndihmësit ligjorë në Prokurorinë e Përgjithshme, të cilët nuk janë magjistratë, si dhe për ish-këshilltarët ligjorë në Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë, me tre vjet përvojë;

b)      realizimit të procesit të Formimit Fillestar, nëpërmjet ndjekjes së një programi edukimi dyvjeçar për subjektet e parashikuara në shkronjën “a” të këtij neni, të cilët dëshirojnë të hyjnë në sistem; 

c)      realizimit të procesit të Formimit Fillestar, nëpërmjet ndjekjes së një programi edukimi njëvjeçar, për gjyqtarët dhe prokurorët në detyrë, të cilët nuk kalojnë sistemin e rivlerësimit profesional;

d)     realizimit të testimit për ish-gjyqtarët e ish-prokurorët që dëshirojnë të hyjnë në sistem, për të cilët nuk ka raporte vlerësimi për aftësitë e tyre profesionale.