Rregullore e Brendshme

RREGULLORE E BRENDSHME E SHKOLLËS SË MAGJISTRATURËS TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË KREU I DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

 

  •  Neni 1

Objekti i Rregullores

Rregullorja e Brendshme e Shkollës së Magjistraturës të Republikës së Shqipërisë vendos rregullat normative për marrëdhëniet që krijohen midis subjekteve pjesëmarrëse në veprimtarinë e saj. Me anë të këtyre rregullave përcaktohen të drejtat e detyrimet e kandidatëve për magjistratë dhe profesione të tjera ligjore, që trajnohen në Programin e Formimit Fillestar, të drejtat dhe detyrimet për gjyqtarët dhe prokurorët në detyrë për formimin e tyre në Programin e Formimit Vazhdues, rregullat për mësimdhënie, kualifikim dhe vlerësim të aftësive profesionale, si dhe raportet e tyre me organet drejtuese dhe administratën e Shkollës, strukturën e brendshme administrative dhe funksionimin e saj.

 

  •  Neni 2

Qëllimi i Rregullores

1.         Rregullorja ka si qëllim:

a)      të përqendrojë në një dokument të vetëm rregullat më të hollësishme për të gjithë kuadrin ligjor që lidhet me mbarëvajtjen e Shkollës së Magjistraturës dhe që gjendet i shpërndarë në ligjet kryesore që rregullojnë organet e qeverisjes në sistemin e drejtësisë; organizimin e pushtetit gjyqësor dhe statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve me synimin kryesor, për ta bërë më të thjeshtë zbatimin nga strukturat vendimmarrëse, drejtuese, administrative dhe pedagogjike të Shkollës;

b)      të sigurojë në mënyrë më të hollësishme dhe të detajuar zbatimin e kuadrit të brendshëm juridik të nevojshëm për mbarëvajtjen e veprimtarisë së Shkollës; të sigurojë rregulla të njëjta për disiplinën pedagogjike dhe administrative, si dhe të garantojë pjesëmarrjen aktive të të gjitha subjekteve, në programet mësimore fillestare dhe vazhduese të Shkollës, si dhe në veprimtari të tjera të organizuara prej saj, sipas ligjit.

 

  • Neni 3

 Baza ligjore

Baza ligjore e kësaj Rregulloreje është ligji nr. 115/2016, “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, ligji nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, ligji nr. 98/2016, “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”, ligji nr. 97/2016, “Për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”, ligji nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, si dhe aktet e tjera ligjore që lidhen me veprimtarinë e Shkollës së Magjistraturës.