Formimi Vazhdues

EDITORIAL

Përshëndetje të nderuar gjyqtarë e prokurorë dhe profesionistë ligjorë

Përshëndetje të nderuar ekspertë, lehtësues, dhe moderatorë!


Trajnimi juridik është një proces mësimi që do të vijojë në mënyrë vazhduese gjatë gjithë jetës sonë duke qenë pjesë e rritjes së gjithsecilit nga ana profesionale. Çdo ditë gjithkush nga ne jep e merr në këtë proces kaq kompleks e gjithëpërfshirës: mësojmë të tjerët dhe, mësojmë nga të tjerët. Jeta sot është shkëmbim informacioni dhe shkëmbim dijesh, pasurim njohurish dhe ngritje më lart apo ecje më përpara. Çdo ditë mësoni nga eksperiencat apo konfliktet që zgjidhni në dyert e gjykatave, prokurorive apo institucioneve ku punoni, mësoni nga ligjet, nga librat, por mësoni edhe nga diskutimet me njëri-tjetrin dhe shkëmbimi i eksperiencave më të mira unifikuese.

Kjo është arsyeja që krahas mësimit dhe trajnimit individual, Shkolla e Magjistraturës organizon edhe trajnimin e grupuar në kurse e seminare që ligji i parashikon për t’u ndjekur në mënyrë të detyrueshme, të paktën 5 ditë në vit. Qoftë edhe simbolikisht në 360 ditë në vit, le të zgjedhim sipas nevojave tona të paktën 1% të këtyre ditëve për të qenë pjesë e këtij trajnimi. Pa diskutim, që edukimi jonë nuk mbaron aty dhe nuk mjafton me kaq, nëse duam vërtetë të rrisim bagazhin e dijeve tona, por gjithsesi mbetet një mundësi e mirë për të shkëmbyer dijet tona me kolegët.

Me rritjen e viteve të eksperiencës në punë ne ndihemi më të sigurt për të ecur përpara, më të formuar për të dhënë zgjidhjet e duhura dhe më të guximshëm për të bërë “duel” me paditurinë. Masa e dijeve që kemi dhe zhdërvjelltësia për t’i përdorur ato me dinjitet, na bën që të kemi vlerësim për veten dhe të kemi vlerësim për të tjerët, të kemi respekt për të tjerët dhe respekt për veten. Megjithatë duhet të mbetemi modest në thelbin tonë, se gjithmonë ka diku, diçka që nuk e dimë ende, një rast gjyqësor apo një pyetje që na sfidon në diturinë tonë. Kjo na bën të mobilizohemi për ta mësuar zgjidhjen apo përgjigjen.

Dija më e madhe është të kesh kurajë të pranosh se diçka nuk e di. Nga ky moment do të ngrihesh e do të kërkosh zgjidhjen e duhur dhe në përpjekje për ta bërë këtë gjë në mënyrë cilësore, mëson e përmirësohesh. Jeta është shkollë dhe asnjë nga ne nuk duhet të ketë turp “të ulet në bankat e saj të përjetshme”, sepse në fund të fundit, të gjithë ne në një farë kuptimi do të jemi “nxënës të përjetshëm”. Dijet na rrisin e na maturojnë, na japin emër, na japin identitet, na forcojnë personalitetin dhe karakterin tonë. Në çastin që mendojmë se ne i dimë të gjitha e se procesi i të mësuarit ka mbaruar, ne shënojmë paditurinë tonë më të madhe.

Me këtë botim elektronik, po ju vëmë në duar Programin e pestë trevjeçar të Trajnimit Vazhdues 2015-2018 të Shkollës së Magjistraturës së Republikës së Shqipërisë. 

Duke ju falënderuar të gjithëve për bashkëpunimin dhe mbështetjen, mbetemi gjithmonë të mirëpritur për ide, komente e sugjerime që do të pasurojnë dhe përmirësojnë këtë program trajnimi, cilësinë e realizmit të seminareve për të plotësuar kërkesat e nevojat tuaja praktike për trajnime.