Konkursi i provimit të pranimit

Procesi i rekrutimit të kandidatëve në Programin e Formimit Fillestar

THIRRJE PËR APLIKIME PËR PROVIMIN E PRANIMIT NË SHKOLLËN E MAGJISTRATURËS 

 

Njoftohen të gjithë të interesuarit, që dëshirojnë të konkurrojnë në Shkollën e Magjistraturës, se:

Në zbatim të ligjit nr. 115/2016, “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, ligjit nr. 96/2016, “Për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, Rregullores së Brendshme të Shkollës së Magjistraturës, nga data 1 deri në 29 shkurt 2024, do të pranohen aplikimet për provimin e pranimit për vitin akademik 2024-2025, për 20 vende vakante profili gjyqtar, 15 vende vakante  profili ndihmës ligjorë të shpallura nga Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe 25 vende vakante të shpallura nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, për profilin prokuror.

Aplikimi do të bëhet nëpërmjet sistemit elektronik në platformën sipas linkut: smvshm.magjistratura.edu.al. Gjithashtu, një kopje të dokumentave të nevojshme për aplikim do të dorëzohen pranë sekretarisë së Shkollës së Magjistraturës.

Dokumentat për aplikim

Në dosjen personale për regjistrim, kandidati duhet të plotësojë dhe ngarkojë elektronikisht në smvshm.magjistratura.edu.al dokumentet e mëposhtme origjinale ose kopje të noterizuara të tyre në formatin .pdf:

  1. Kërkesën e aplikimit për profilin e zgjedhur si gjyqtar, prokuror, ndihmës ligjor. Kërkesa plotësohet elektronikisht në formularin unik të platformës SMVSHM
  2. Diplomat universitare dhe listat e notave për studimet që ka ndjekur;
  3. Dëshmi/certifikatë të mbrojtjes së një prej pesë gjuhëve zyrtare të Bashkimit Europian: anglisht, frëngjisht, italisht, gjermanisht dhe spanjisht, mbi bazën e testeve ndërkombëtare, të njohura nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë. Nëse individi ka fituar një diplomë universitare të një programi studimi për drejtësi, të kryer në një nga vendet e Bashkimit Europian dhe në programin mësimor të studimeve është vlerësuar edhe për njërën prej këtyre pesë gjuhëve të huaja, diploma e fituar shërben si dëshmi për plotësimin e këtij kriteri për profilet gjyqtar dhe prokuror;
  4. Jetëshkrimin;
  5. Kartën e identitetit;
  6. Vërtetim për gjendjen gjyqësore;
  7. Rraportin mjeko-ligjor
  8. Dëshmi, vërtetime dhe rekomandime nga persona dhe institucione ku kanë punuar tri vitet e fundit;
  9. Vërtetim nga punëdhënësi i fundit dhe/ose organet disiplinore që nuk është larguar nga detyra ose i është hequr licenca, autorizimi ose leja për ushtrimin e një profesioni për shkaqe disiplinore, si dhe nuk ka masë disiplinore në fuqi;
  10. Deklaratë që vërteton se nuk është anëtar i partive politike në kohën e kandidimit;
  11. Deklaratë që nuk ka qenë anëtar, bashkëpunëtor ose i favorizuar nga Sigurimi i Shtetit përpara vitit 1990; si dhe nuk ka qenë bashkëpunëtor, informator, ose agjent i shërbimeve sekrete;
  12. Librezën e punës që të vërtetojë periudhën e vjetërsisë në punë (e noterizuar ose e sigluar nga punëdhënësi), vërtetime të lëshuara nga organet e sigurimeve shoqërore që tregojnë kontributet e derdhura për shkak të punësimit në vite ose, kur është rasti detyrimet tatimore të derdhura në vite për shkak të zhvillimit të profesioneve të lira juridike.
  13. Një fotografi;
  14. Mandat pagese për regjistrimin në vlerën 12.000 lekë. 

Udhëzime mbi mënyrën e aplikimit 

  1. Klikohet në linkun smvshm.magjistratura.edu.al
  2. Regjistrohet në platformë
  3. Konfirmohet llogaria hyrëse dhe njoftohet me email;
  4. Aplikohet për regjistrim
  5. Ngarkohet dokumentacioni
  6. Dorëzimi elektronik
  7. Dorëzimi i dokumentacionit të noterizuar fizikisht në Sektorin e Formimit Fillestar, pranë Shkollës së Magjistraturës.

KUJDES! Regjistrimi do të konsiderohet i kryer në momentin kur kandidati të dorëzojë një kopje të noterizuar të këtij dokumentacioni në sekretarinë e Shkollës, pas ngarkimit të dokumentacionit në SMVSHM.

Dokumentat dorëzohen cdo ditë, nga data 1 shkurt deri në 29 shkurt 2024, pranë ambjenteve të Shkollës së Magjistraturës në orën 9.00-14.00.

Adresa e Shkollës së Magjistraturës: Rruga “Ana Komnena”, Godina “Poli i drejtësisë”, Tiranë, Shqipëri.

 

DATAT E PROVIMEVE

Provimi i pranimit do të organizohet me shkrim në dy faza.

 

FAZA E PARË

Datë 22 prill 2024, ora 8.00-13.00, Pallati i Kongreseve, Tiranë.

FAZA E DYTË

Datë 24 dhe 25 prill 2024, ora 8.00-13.00, Salla “Feti Borova”, Tirana Olimpik Park, Tiranë.

 

Konkurrentët, në të gjitha fazat e organizimit të provimit të pranimit, duhet të kenë me vete dokumentin e identifikimit.

Programi i provimit të pranimit (ku do të gjeni edhe listën e lëndëve që do të shërbejnë si bazë për testimin) është i publikuar në faqen e internetit të Shkollës www.magjistratura.edu.al. Programi i provimit i përgjigjet të dyja fazave të provimit: testi i inteligjencës, gjuhë shqipe, legjislacioni i BE-së, marrëdhënie ndërkombëtare, e drejtë e krahasuar (parimet e përgjithshme), historia e ishtetit dhe te se drejtës, etikë profesionale, e drejtë kushtetuese, e drejtë civile dhe e detyrimeve, procedurë civile, e drejtë penale, procedurë penale, e drejtë administrative, e drejtë familjare, e drejtë tregtare, e drejtë e punës.

Regjistrimi elektronik në procesin e provimit të pranimit në Shkollën e Magjistraturës