Në vijim të bashkëpunimit rajonal me institucionet homologe të formimit profesional gjyqësor, bëri një vizitë pune në Shkollën e Magjistraturës, një delegacion përfaqësues i Akademisë së Gjyqtarëve dhe Prokurorëve nga Republika e Maqedonisë së Veriut. Delegacioni kryesohej nga Znj. Irina Trajkoska Strezoski, Drejtore e Akademisë, Z. Betim Jahja dhe Z. Bashkim Besimi, magjistratë në detyrë, Znj. Aleksandra Dejanovska Trendafilova, pedagoge e akademisë, si dhe nga Z. Gent Salihi, përfaqësues i Qendrës së Gjenevës për Qeverisjen e Sektorit të Sigurisë (DCAF).
Vizita zhvillohet në kontekstin e forcimit të lidhjeve reciproke dhe ndarjes së praktikave më të mira ndërmjet dy institucioneve homologe.
Në takimin e zhvilluar, nga Z. Rakipi, u bë një parashtrim i detajuar i të gjitha praktikave institucionale të punës në veprimtarinë e Shkollës së Magjistraturës dhe veçanërisht përsa i takon:
- Procesit të rekrutimit dhe procedurave të zhvillimit të konkursit të hyrjes në SHM;
- Prezantim i proceseve të Programit të Formimit Fillestar, përfshirë lëndët, metodat e mësimdhënies dhe trupën pedagogjike në shkollë;
- Prezantim i proceseve të Programit të Formimit Vazhdues, përfshirë procesin e hartimit të programit të tematikave, grupin e ekspertëve dhe modulet specifike të trajnimit të vazhduar;
- Integrimi dhe përfshirja e teknologjisë së informacionit në realizimin e proceseve mësimore dhe të trajnimit në programet e formimit profesional në shkollë.
Njëkohësisht, Drejtori i Shkollës, Z. Rakipi, shprehu interesin e SHM për të rritur bashkëpunimin me Akademinë e Gjyqtarëve dhe të Prokurorëve të Maqedonisë së Veriut në realizimin e aktiviteteve të përbashkëta të formimit profesional për gjyqtarët dhe prokurorët në detyrë si dhe për të shkëmbyer praktikat e mira të punës në përfitim të përbashkët.