Përshëndetja e Drejtorit të SHM, z. Arben Rakipi, në ceremoninë e diplomimit të magjistratëve të rinj 2019-2022

I nderuar zoti President i Republikës!

Të nderuar drejtues të organeve të qeverisjes së Drejtësisë!

E nderuara kryetare e Gjykatës Kushtetuese!

I nderuar zoti kryetar i Gjykatës së Lartë!

I nderuar zoti Ministër i Drejtësisë!

Të nderuar ambasadorë!

Të nderuar të ftuar, miq e kolegë!

Të dashur studentë!

 

Jam i lumtur dhe i privilegjuar të përshëndes dhe mirëpres të gjithë miqtë në këtë sallë; të shoh numrin e madh të magjistratëve që kanë dalë nga dyert e Shkollës sonë të Magjistraturës, të shoh kolegët e nderuar që kanë kontribuar me pasion për themelimin dhe funksionimin ndër vite të saj, të marrin pjesë sot në përmendjen e përvjetorit të 25-të të Shkollës sonë. 

Ju falënderoj plot ndjenjë të gjithëve që pranuat ftesën tonë dhe po shpenzoni kohën tuaj të çmuar bashkë me ne, si dhe miqve të huaj ju uroj qëndrim të këndshëm në Tiranë.

25 vjet më parë, sistemi qeverisës i gjyqësorit shqiptar fitoi një institucion inovativ të arsimimit juridik, post universitar, dedikuar përgatitjes së gjyqtarëve dhe prokurorëve. Ngritja e Institucionit tonë, me një qasje praktike dhe moderne ndaj formimit të magjistratëve, u bë e mundur nga nevojat e kohës dhe të të ardhmes, përmes rolit progresist luajtur nga individë të atëhershëm, me mbështetjen e gjithanshme dhe kujdesin profesional të Këshillit të Evropës. Gjej rastin t’i falënderoj ata për sa ofruan dhe t’u përmend i bindur që ky projekt rezultoi më i suksesshmi në fushën e drejtësisë në Shqipëri. Të gjithë kontribuuesit, pavarësisht rëndësisë së shenjave që lanë në këtë rrugëtim, kanë arsye të mira për t’u ndierë krenarë për qenien pjesë e këtij projekti të veçantë.

Jubileun e 25-të po e festojmë në vigjiljen e vitit akademik 2022-2023, së bashku me diplomimin e magjistratëve të rinj që do t’i bashkohen kolegëve në sistemin e drejtësisë. Qëndruam në të njëjtën ditë edhe për të demonstruar atë që ka ndodhur në Shkollë këto 25 vite. Ne kemi ecur përpara, brez me brez, kemi transmetuar përvojat tona te të gjithë ata që janë pjesë e shërbimit gjyqësor shqiptar, kemi arritur të krijojmë, përtej çdo dyshimi, profesionistë të zotë, ngaqë përçojmë përgjegjësinë e nevojës publike për drejtësi të pavarur e cilësore për të gjithë. Ndaj nuk kemi mbetur në vend.

Përgjatë këtij çerekshekulli të veprimtarisë së Shkollës, ne e kemi parë atë të rritet e modernizohet çdo ditë, jo vetëm fizikisht, në numra sallash auditorësh, numra studentësh, gjyqtarësh e prokurorësh që ndjekin trajnimet, por në përmbajtjen e saj, në programet e përpunuara vit pas viti, në metodologjitë e reja të mësimdhënies apo trajnimit.  Përgjatë viteve është rritur hapësira që procesi i trajnimeve të zhvillohet edhe me mbështetjen e teknologjisë informatike, është rritur zhvillimi online i veprimtarisë së Shkollës, janë shtuar platformat e dedikuara për e-learning, botimet e Shkollës i drejtohen edhe më pranë përfituesve të tyre. Ndërkohë, përcaktimi i objektivit strategjik që Shkolla të shndërrohet në qendrën e trajnimit për të gjithë profesionet juridike në vend, të përbëjë bërthamën akademike, ku kërkohet apo/dhe analizohet zhvillimi i praktikës gjyqësore, ku ofrohen opinione për çështje të rëndësishme juridike të saj, është përpara nesh dhe mbetet objektivi ynë kryesor, paralel me përmbushjen e detyrës së vështirë të plotësimit të vakancave të sistemit të drejtësisë. Falë vendosmërisë dhe këmbënguljes sonë dhe të të gjithë personelit, të cilët kontribuojnë apo përfitojnë shërbimin e Shkollës së Magjistraturës, më së shumti të gjyqtarëve e prokurorëve, ne do ia dalim, ngaqë gjithçka, sipas motos sonë, varet nga njerëzit. 

Përgjatë këtij çerekshekulli ne dëshmuam arritjen që Shkolla e Magjistraturës të jetë mikpritëse e dhjetëra konkurrentëve, më pas studentëve apo gjyqtarëve e prokurorëve. 4336 aplikantë nga gjithë vendi u drejtuan për të konkurruar në provimet e pranimit organizuar nga Shkolla, prej të cilëve 646 me meritë janë shpallur fitues. Sistemi i drejtësisë është freskuar me 443 gjyqtarë e prokurorë prej bankave të Shkollës sonë, ndërsa përreth 200 presin diplomimin përgjatë këtij trevjeçari.

Me gjithë vështirësitë e krijuara vitet e fundit prej pandemisë, jo vetëm për ne, arritëm përkundër mbrojtjes së shëndetit për njëri-tjetrin, t’ju krijojmë mundësitë e përshtatshme që sistemi gjyqësor të vazhdojë të mbështetet te ne. Situata e vështirë bëri të përfshijmë metodologji krejt të reja të mësimdhënies, të afta e të mjaftueshme për të përmbushur me sukses dhe cilësi programin e formimit të magjistratëve në të gjithë pjesët e tij. Kontribut të paçmuar për formimin e studentëve, dhanë e japin mentorët-gjyqtarët e prokurorët, që përditë përçuan eksperiencën e tyre te kandidatët e rinj. Teknikat e reja të komunikimit lehtësuan edhe përfshirjen në sistemin e Programit të Formimit Fillestar të lektorëve apo ekspertëve të huaj.

Ndërkohë, është perfeksionuar organizimi dhe zhvillimi i Programit të Formimit Vazhdues, një prej shtyllave kryesore të vetë qenies dhe qëllimit të Shkollës së Magjistraturës. Ai është fryt i përvojës së krijuar nga kolegët tanë, si dhe i kontributit cilësor të shumë aktorëve, si: gjyqtarëve, prokurorëve, Këshilli Pedagogjik, Këshilli Drejtues, trajnerëve vendas e të huaj.

Ndryshimet e vazhdueshme të legjislacionit ndër vite sollën në mënyrë të natyrshme nevojën për kualifikimin e vazhdueshëm të gjyqtarëve dhe të prokurorëve në detyrë, si një përgjegjësi e Shkollës dhe e shtetit për pajisjen e tyre me informacionin e duhur për zhvillimin e ligjit brenda vendit. Procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në BE, prej vitesh ka krijuar detyrime të rëndësishme për Shkollën edhe në këtë fushë.

Bashkëpunimi me partnerët ndërkombëtarë është një ndër elementët me ndikim të drejtpërdrejtë në forcimin e kapaciteteve dhe rritjen e performancës në fushat kryesore të veprimtarisë së Shkollës së Magjistraturës. Partnerët tanë ndërkombëtarë kanë qenë dhe janë kontributorë të rëndësishëm në të gjitha programet e trajnimit dhe proceset e rëndësishme të veprimtarisë sonë.

 

Shkolla ka marrëveshje bashkëpunimi me shkollat e magjistraturës në vende të ndryshme të Bashkimit Evropian, si me Shkollën e Magjistraturës së Francës, Qendrën e Trajnimeve dhe Studimeve Gjyqësore të Vendeve të Ulëta, Shkollën e Magjistraturës së Italisë, Shkollën e Magjistraturës së Portugalisë etj. Njëkohësisht, kemi mbajtur marrëdhënie të rregullta me akademitë dhe qendrat e trajnimit gjyqësor të rajonit, me të cilat kemi bashkëpunuar në aktivitete të ndryshme të mundësuara edhe nga Bashkimi Evropian apo agjenci të tjera ndërkombëtare bashkëpunimi.  Marrëveshja jonë në Këshillin e Lartë të Magjistraturës italiane është një prej atyre që duhet përshëndetur e vlerësuar për suksesin e saj. Prania e shtuar së fundmi e OPDAT-it garanton të njëjtin produkt profesional. 

Gjej rastin të falënderoj gjithë sa përmenda, për durimin dhe dashamirësinë që kanë treguar përgjatë viteve. E them me bindje, se Shkolla Shqiptare e Magjistraturës nuk do të ishte kjo që është sot, nëse prania e kontributorëve do të ishte e ndryshme.

 

 

Të dashur zonja dhe zotërinj!

Të dashur studentë!

 

Drejtësia që synojmë ka nevojë për themel të besueshëm dhe të fortë, të cilin mund ta ndërtojmë vetëm pasi të kemi bashkuar forcat nën të njëjtat motive e qëllime, pa përjashtuar kërkënd dhe duke mos nënvleftësuar kontributin e kujtdo që përputh idetë e tij me qëllimet e larta për të shërbyer në sistemin e shenjtë të drejtësisë. Ne kemi shumë nevojë për mençuri që buron nga mendja dhe zemra e gjithë atyre që qeverisin drejtësinë sot, por pikësëpari për individin-veprimtar, konkret të drejtësisë, gjyqtarin e prokurorin që punon çdo ditë në sistem. Kemi nevojë për më shumë pavarësi personale, për më shumë barazi, shumë meritë dhe realizëm në synimet tona, më shumë humanizëm, dhembshuri dhe legalitet. Por, përmbi të gjitha, paskemi nevojë për më shumë atdhedashuri.

Nën këtë funksion duhet parë edhe përzgjedhja e kandidatëve të rinj dhe përgatitja e tyre, përndryshe sistemit tonë të shërbimit gjyqësor do t’i duhet më tepër kohë për të realizuar pritshmëritë. Për shkak të rregullimit kushtetues që Portën e Hyrjes në sistem të gjyqtarëve e prokurorëve të rinj, e ka përcaktuar në Shkollën tonë, përballemi me këto sfida të forta që rrjedhin nga normimet e Reformës në Drejtësi, nga qëllimet e synimet e larta të saj. Por edhe pa të, shenjtëria e dhënies së drejtësisë, si element i përhershëm moral dhe etik, rëndon përmbi të gjithë ata që janë e duan të bëhen pjesë e sistemit gjyqësor, angazhimi për të cilën reflektohet në shkallën e respektit dhe besimit që publiku rezervon për ne.

Urimet më të mira për gjithë ata që në një mënyrë apo në tjetrën kanë qenë e janë pjesë e Shkollës sonë, veçanërisht për personelin në detyrë, pedagogë apo në administratën tonë.

Ju falënderoj për sa keni bërë dhe ju ftoj të shtoni kontributin për të ardhmen, që synon shndërrimin e përpikshmërisë së veprimtarisë së Shkollës, si ai i një sahati zviceran.

Gëzuar përvjetorin! U mbledhshim kurdoherë faqebardhë përballë publikut!