Përfundoi procesi i dorëzimit të dokumentacionit për regjistrimin e konkurrentëve në provimin e pranimit në Shkollën e Magjistraturës.
Pas ngarkimit të dokumenteve në platformën zyrtare smvshm.magjistratura.edu.al, konkurrentët dorëzuan dokumentacionin fizik në mjediset e Shkollës së Magjistraturës.
Konkurrentët patën mundësinë të zgjidhnin një, dy ose të tri profilet: gjyqtar, prokuror dhe avokat shteti. Gjithsej 318 konkurrentë.
Dokumentacioni i paraqitur nga konkurrentët do të verifikohet nga Komisioni i Verifikimit të Dokumentacionit të Shkollës së Magjistraturës, Këshillave përkatës dhe Avokaturës së Shtetit, sipas profilit për të cilin ka aplikuar secili kandidat. Pas përfundimit të procesit të verifikimit dhe miratimit nga Këshilli Drejtues i Shkollës së Magjistraturës, do të publikohet lista përfundimtare e konkurrentëve që do të marrin pjesë në provimin e pranimit.
Ju urojmë suksese të gjithë konkurrentëve!

Shkolla e Magjistraturës