Në vijim të bashkëpunimit me Prezencën e OSBE-së në Tiranë, bëri një vizitë pune në Shkollën e Magjistraturës, një delegacion i përbërë nga magjistratë në detyrë në Gjykatat e ndryshme Admnistrative të Austrisë, si dhe përfaqësues të Shoqatës Evropiane të Gjyqtarëve Administrativë. Vizita u zhvillua në kontekstin e forcimit të lidhjeve reciproke dhe ndarjes së praktikave më të mira me partnerët ndërkombëtarë.
Nga përfaqësuesit e Shkollës, në takim u bë një parashtrim i detajuar i të gjitha praktikave institucionale të punës në veprimtarinë e Shkollës së Magjistraturës dhe veçanërisht përsa i takon:
- Procesit të rekrutimit dhe procedurave të zhvillimit të konkursit të hyrjes në SHM;
- Prezantim i proceseve të Programit të Formimit Fillestar, përfshirë lëndët, metodat e mësimdhënies dhe trupën pedagogjike në shkollë;
- Prezantim i proceseve të Programit të Formimit Vazhdues, përfshirë procesin e hartimit të programit të tematikave, grupin e ekspertëve dhe modulet specifike të trajnimit të vazhduar;
- Integrimi dhe përfshirja e teknologjisë së informacionit në realizimin e proceseve mësimore dhe të trajnimit në programet e formimit profesional në shkollë.
Njëkohësisht, u shpreh interesi i Shkollës së Magjistraturës për të rritur bashkëpunimin me magjistratët austriakë në shkëmbimin e praktikave të mira të punës me përfitim të përbashkët.