AKTIVITET TRAJNUES: 20 nëntor 2025

Shkolla e Magjistraturës në bashkëpunim me Projektin e Këshillit të Evropës “Forcimi i kapaciteteve të gjyqësorit shqiptar për zbatimin sa më të mirë të standardeve mbi të drejtën e lirisë dhe sigurisë”,  më datë 20 nëntor 2025, zhvilloi aktivitetin trajnues me temë: “Kushtet dhe kriteret për caktimin e masave të sigurimit. Caktimi dhe zbatimi i disa masave njëkohësisht. Përllogaritja e afateve në rast të ekzistencës së disa masave arrest me burg. Afatet e paraburgimit sipas nenit 263 të Kodit të Procedurës Penale, momenti i ecjes së afatit, mundësia e zgjatjes së afatit. Praktika gjyqësore lidhur me kërkesat për zgjatjen e afatit të paraburgimit dhe rastet kur afatet kanë përfunduar pa u shprehur ende gjykata me vendim për zgjatjen e tyre. Korniza ligjore dhe jurisprudenca e GJEDNJ-së mbi privimin nga liri. Përkufizimi dhe fushëveprimi i Nenit 5 të KEDNJ-së: përkufizime kryesore si "arrestim i ligjshëm", "dyshim i arsyeshëm" dhe "qëllimi i arrestimit". Dallimet midis ndalimit administrativ, ndalimit parandalues dhe paraburgimit penal sipas legjislacionit shqiptar. Jurisprudenca e GJEDNJ-së mbi ligjshmërinë dhe arbitraritetin e arrestimit - interpretimi i "ligjshmërisë" dhe "në përputhje me një procedurë të përcaktuar me ligj", pranë ambienteve të Shkollës së Magjistraturës, në Tiranë.

Ky aktivitet u drejtua nga, z. Sandër Simoni, Gjyqtar në Gjykatën e Lartë, z. Aurel Arapi, Gjyqtar në Gjykatën e Shkallës së Parë Tiranë, si dhe znj. Silvia Martínez Cantón, Gjyqtare lidhëse për Francën dhe Zvicrën, eksperte e Këshillit të Evropës. 

Ky trajnim fokusohet në kuadrin ligjor dhe praktikën gjyqësore që lidhet me vendosjen e masave të sigurimit dhe paraburgimit. Pjesëmarrësit do të përfitojnë njohuri mbi kushtet dhe kriteret për aplikimin e këtyre masave, mënyrën e llogaritjes së afateve kur disa forma ndalimi mbivendosen, si dhe afatet specifike dhe procedurat e zgjatjes sipas nenit 263 të Kodit të Procedurës Penale. Vëmendje e posaçme do t’i kushtohet praktikës gjyqësore në rastet kur afatet e paraburgimit skadojnë pa një vendim të gjykatës në kohë, duke evidentuar rreziqet e privimit të paligjshëm nga liria.

Sesionet trajtuan gjithashtu jurisprudencën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut mbi nenin 5 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, duke sqaruar konceptet kryesore si “arrest i ligjshëm,” “dyshim i arsyeshëm,” dhe “qëllimi i arrestimit.” U diskutuan diferencat mes ndalimit administrativ, atij parandalues dhe paraburgimit penal sipas legjislacionit shqiptar si dhe jurisprudenca e gjykatave për ligjshmërinë dhe arbitraritetin.

Ky trajnim synon të forcojë aftësinë e pjesëmarrësve për të zbatuar ligjin vendas në harmoni me standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, veçanërisht jurisprudencën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Trajnimi u realizua duke ndërthurur prezantimet (deri në 20-30 min) me diskutimin e çështjeve të shtruara (pyetjeve vetë studimore; pyetje-përgjigje) dhe ushtrimeve me raste praktike & kuize, për të nxitur dhe realizuar ndërveprimin aktiv të pjesëmarrësve. 

Në këtë aktivitet trajnues morën pjesë gjyqtarë, prokurorë dhe oficerë të policisë gjyqësore të Republikës së Shqipërisë.