Aktivitet trajnues me temë: “Përmirësimi i aftësive financiare dhe të kontabilitetit për gjyqtarët dhe prokurorët”

Shkolla e Magjistraturës, më datat 8-9 Prill dhe 11-12 Prill 2024, zhvilloi disa aktivitete trajnuese ne lidhje me aftësitë financiare të magjistratëve në detyrë, me mbështetjen e Bankës Botërore, me të cilën eshte duke zbatuar projektin "Forcimi i Cilësisë së Auditimit dhe Raportimit për Rritjen e Kapaciteteve të Sistemit Gjyqësor në drejtim të Raportimit Financiar" në bashkëpunim me Institutin e Financave Publike dhe Kontabilitetit të Mbretërise së Bashkuar. 

Aktivitetet trajnuese u drejtuan nga ekspertët e mëposhtëm: 

 

Ekspert:  Artan Xhiani

Ekspert: Neritan Sota

Ekspert: Redvin Marku

 

Qëllimet e trajnimit

  1. Kuptimi ndërdisiplinar i raportimit financiar. Identifikimi i situatave ku është me përfitim bashkëpunimi me ekspertin kontabël. 
  2. Rritja e kuptimit të parimeve kontabël dhe raportimit financiar.
  3. Familiarizimi me kuadrin e raportimit financiar të përdorur në fushën e kontabilitetit.
  4. Forcimi i kompetencave vendimmarrëse për interpretimin e duhur të përgjigjeve nga ekspertët kontabël (përfshirë kontekstin ligjor) dhe identifikimi i situatave ku mungon përgjigjia e besueshme.

 

Gjatë aktiviteteve:  

  • Pjesëmarrësit u familjarizuan me llojet e ndryshme të pasqyrave financiare, si pasqyra e pozicionit financiar dhe pasqyra e performancës, si dhe lidhjen ndërmjet elementëve të ndryshëm të tyre. 
  • Një komponent shumë i rëndësishëm i diskutuar gjatë aktiviteteve trajnuese ishte edhe interpretimi i gjendjes financiare të shoqërive tregtare si dhe implikimet dhe pyetjet që duhet të bëjnë magjistratët në detyrë rreth problematikave që mbart një paketë raportuese e pasqyrave financiare. 
  • Njëkohësisht u shqyrtuan detyrat e ekspertit kontabël të thirrur nga gjykata/prokuroria, pyetjet që duhet t’i bëhen ekspertit rreth elementëve të ndryshëm të pasqyrave financiare, si dhe indikatorët për raportime financiare të pasakta. 
  • Elementë të rëndësishëm që u shqyrtuan gjatë dy ditëve ishin edhe kudret rregullatore të raportimit financiar, dallimet ndërmjet rezultatit financiar dhe aftësisë likujduese si dhe format e rregullimit të biznesit dhe lidhja e tyre me raportimin financiar.

 

Në aktivitetet trajnuese u përdorën metoda të kombinuara të prezantimit me power point, diskutimeve për pyetje që lindnin gjatë prezantimeve, përfshirë analiza praktike të shoqëruara me shembuj nga praktika e punës së shoqërive tregtare, bankave dhe organeve të administratës shtetërore. I gjithë ky proces u shoqërua me interesim shumë të madh nga pjesëmarrësit si rezultat i metodologjisë shumë interaktive të trajnimit të përzgjedhur nga ekspertët. 

 

Në këtë trajnim morën pjesë gjyqtarë dhe prokurorë të niveleve të ndryshme të gjyqësorit dhe prokurorisë në vend.