Shkolla e Magjistraturës mirëpriti kandidatët e vitit të parë për magjistratë, avokatë shteti, ndihmës dhe këshilltarë ligjorë, në prag të nisjes së Programit të Formimit Fillestar. Në këtë takim hyrës, kandidatët u njohën me strukturën e programit, metodologjinë e mësimdhënies, si dhe me platformën SMVSHM, e cila do të shoqërojë formimin e tyre akademik dhe praktik.
Risia më e rëndësishme e këtij viti akademik është zbatimi i kurikulave të reja, të riformuluara dhe të rikonceptuara bazuar në filozofinë “të mësuarit përmes veprimit”. Programi i ri priret drejt mentorimit të kandidatit; drejt përgatitjes së akteve hap pas hapi; drejt bashkëveprimit, analizës, debatit. Kjo risi synon të ofrojë një formim më të thelluar praktik të aftësive ligjore dhe njëherazi ka një orientim të qartë drejt aftësive jo-ligjore, si etika, vetëreflektimi, ndërgjegjësimi për mjedisin social, ekonomik, bashkëpunimi me kolegët, etj.
Aftësitë dhe kompetencat që synohen të arrihen në vitin e parë bashkohen në mënyrë organike me ato të synuara në vitin e dytë dhe të tretë të Programit të Formimit Fillestar, duke u zhvilluar dhe vlerësuar në progres. Qëllimi kryesor është që në përfundim të programit 3-vjecar, kandidatët të jenë gati për të shërbyer në sistemin e drejtësisë me cilësi të lartë profesionale dhe njerëzore.
Gjatë prezantimit, kandidatët u njohën me:
- Metodologjinë e re të mësimdhënies dhe vlerësimit;
- Përdorimin e platformës digjitale SMVSHM;
- Aspektet organizative të ndjekjes së mësimit në auditor dhe të praktikës profesionale.