Në vijim të aktiviteteve zbatuese të Projektit të Binjakëizmit me BE “Fuqizimi i efikasitetit, integritetit dhe profesionalizmit në sistemin e drejtësisë me anë të përmirësimit të kapaciteteve të Shkollës Shqiptare të Magjistraturës”, u zhvillua në datën 13-14 janar misioni i ekspertëve të Komponentit III të projektit nga Shkolla Kombëtare Franceze e Magjistraturës, që fokusohet në reformimin e Provimit Hyrës në Shkollë.
Përfaqësuesit e Shkollës Franceze, Drejtuesja e Projektit Znj. Emmanuelle Laudic-Baron dhe Drejtuesja e Komponentit III Znj. Benedicte Royer, zhvilluan takim me Drejtorin e Shkollës, Z. Arben Rakipi, si dhe përfaqësuesit e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
Ky mision, në vazhdën e takimeve të vitit të kaluar, pati si qëllim të bënte një screenshot të proceseve që lidhen me provimin hyrës pas ndryshimeve të fundit të bëra nga Shkolla dhe më pas të propozojë përshtatje të reja për një efikasitet më të lartë të provimit. Një raport paraprak me propozime do të hartohet dhe dorëzohet për vlerësime dhe sugjerime.
Njëkohësisht në datën 14 janar, u mbajt dhe mbledhja e Komitetit Drejtues 2 të Projektit, me pjesëmarrjen e shumë aktorëve të përfshirë në veprimtarinë profesionale të Shkollës si Këshilli i Lartë Gjyqësor, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, Ministria e Drejtësisë, drejtuesit e Projektit, përfaqësues nga Delegacioni i BE në Tiranë, drejtuesit e Komponentëve të ndryshëm të Projektit, etj.
Gjatë takimit u prezantuan aktivitetet e zhvilluara gjatë periudhës tetor 24 – janar 25, ku u shpjegua ç’ka është arritur të realizohet gjatë periudhës së raportimit si dhe u prezantua plani i punës për periudhën janar-qershor 2025 për tu vlerësuar nga Komiteti Drejtues nëpërmjet diskutimeve të çështjeve objekt miratimi.