Në kuadër të bashkëpunimit me Rrjetin Gjyqësor Evropian të Trajnimeve, në datat 30 qershor – 4 korrik, 2025, Shkolla e Magjistraturës, si çdo vit, mori pjesë në konkursin ndërkombëtar e-THEMIS në gjysëm finalen B e Drejta Familjare Evropiane dhe e BE-së. Konkursi u zhvillua në qytetin e Napolit, Itali.
Në këtë aktivitet, skuadra e Shkollës së Magjistraturës përbëhej nga Tea Take, Ornela Troplini, Aurora Ndreu, kandidatë për magjistratë në vitin e dytë të studimeve, nën mentorimin e pedagoges Prof. Dr. Arta Mandro.
„Kufij ndarës – Sfida juridiksionale në çështjet e divorcit të shtetasve shqiptarë që jetojnë në BE“ ishte tema me të cilën u prezantua Shkolla e Magjistraturës në konkursin e këtij viti.
Punimi i realizuar dhe prezantuar nga skuadra e Shkollës së Magjistraturës u vlerësua maksimalisht nga anëtarët e jurisë dhe më konkretisht vlerësimet e marra ishin për një punë origjinale, risitë e sjella në drejtim të krahasimit dhe ndërveprimit ndërmjet ligjit shqiptar dhe atij të BE-së, si dhe njohuritë e thelluara me një anglishte ligjore të shkëlqyer.