Bashkëbisedim tematik mbi procesin e integrimit në Bashkimin Evropian

Ditën e premte, më 27.03.2026, në orën 9:30, në sallën e amfiteatrit të Godinës “Poli i Drejtësisë”, do të zhvillohet një bashkëbisedim tematik mbi procesin e integrimit në Bashkimin Evropian-sfidat dhe mundësitë.

Ky aktivitet organizohet në kuadër të bashkëpunimit institucional të Shkollës së Magjistraturës me:

•             Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme,

•             Ministrinë e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin,

të përfaqësuara respektivisht nga z. Ferit Hoxha dhe znj. Adea Pirdeni, me pjesëmarrjen e pedagogëve të brendshëm të Shkollës së Magjistraturës.

Ky takim merr një rëndësi të veçantë, pasi zhvillohet në një moment kyç të rrugëtimit të Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian. Diskutimet do të fokusohen në dinamikat aktuale të procesit të negociatave, sfidat institucionale, mundësitë, rolin e sistemit të drejtësisë dhe standardet që vendi ynë duhet të përmbushë me sukses drejt integrimit evropian. Takimi synon të ofrojë një kuadër më të gjerë informues dhe profesional për rolin që çdo institucion—përfshirë Shkollën e Magjistraturës—luan në përmbushjen e këtij procesi strategjik për vendin.