Më 9 maj 2025, Shkolla e Magjistraturës organizoi një veprimtari të veçantë në nderim të Ditës së Drejtësisë, duke mbledhur në një foltore të përbashkët kolegë, bashkëpunëtorë dhe personalitete të sistemit të drejtësisë. Ky aktivitet synoi të evokojë dhe të nderojë thelbin e kësaj dite, përmes figurës së njeriut të drejtësisë që mishëron në mënyrë të natyrshme parimet dhe standardet më të larta profesionale.
Në qendër të vëmendjes ishte edhe prezantimi i botimit më të ri të Prof. Dr. Ismet Elezit, “Kultura juridike në shtet dhe shoqëri”, publikuar nga Shkolla e Magjistraturës. Kjo vepër përbën një kontribut të rëndësishëm për zhvillimin e mendimit juridik në vend dhe për forcimin e ndërgjegjes shoqërore mbi rolin jetik të kulturës së ligjit.
Edhe pse nuk ishte fizikisht i pranishëm, Prof. Elezi, në moshën 105-vjeçare, përcolli një fjalë përshëndetëse për të pranishmit, ku theksoi se drejtësia nuk është thjesht sistem rregullash, por një frymë që duhet jetuar dhe mbrojtur çdo ditë. Figura e tij u vlerësua gjerësisht si simbol i urtësisë, qëndrueshmërisë dhe shërbimit të pandërprerë ndaj dijes dhe drejtësisë.
Drejtori i Shkollës, në fjalën e tij përshëndetëse, theksoi rëndësinë që ka kjo ditë për të reflektuar mbi vlerat që e mbajnë sistemin e drejtësisë të fortë dhe të besueshëm. “Le të jetë kjo Ditë e Drejtësisë jo thjesht një festë parimesh, por një festë e njerëzve që i jetojnë ato – me integritet në zemër, guxim në veprim dhe përkushtim ndaj së drejtës,” u shpreh ai, duke vlerësuar figurën e Prof. Elezit si mishërim i këtyre vlerave.
Me kontributin e tij shumëdimensional në fushën e së drejtës, Prof. Elezi është jo vetëm dëshmitar i historisë ligjore shqiptare, por edhe një nga ndërtuesit më të rëndësishëm të saj. Ai ka formuar dhe frymëzuar breza të tërë juristësh, dhe vijon të japë kontributin e tij aktiv edhe sot.
Veprimtaria u ndoq nga pedagogë të Shkollës së Magjistraturës, ish-studentë të Profesor Elezit dhe përfaqësues të institucioneve të drejtësisë, të cilët shprehën mirënjohjen dhe respektin për një figurë që ka lënë gjurmë të pashlyeshme në arsimin dhe praktikën juridike në Shqipëri.