Shkolla e Magjistraturës shpalli sot më datë 6 maj 2025, rezultatet e vlerësimit të fazës së dytë të provimit të pranimit dhe renditjen e konkurrentëve sipas këtyre rezultateve.
Mbi procesin e vlerësimit
Pas përfundimit të fazës së dytë (dita e dytë) më 25 prill 2025, Këshilli Drejtues i Shkollës së Magjistraturës caktoi komisionin e vlerësimit të provimit për këtë fazë. Komisioni përbëhej nga 7 (shtatë) anëtarë, 3 (tre) anëtarë pedagogë të brendshëm në Shkollën e Magjistraturës: z. Vangjel Kosta, z. Henrik Ligori, z. Ylli Pjetërnikaj dhe 4 (katër) anëtarë, pedagogë të jashtëm në Shkollën e Magjistraturës, znj. Vjosa Zaimi, anëtare e Gjykatës së Shkallës së Parë, z. Ardian Dvorani, gjyqtar i Gjykatës Administrative të Apelit, z. Asim Vokshi, anëtar i Gjykatës së Lartë, dhe z. Sokol Pina gjyqtar në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm.
Komisioni i vlerësimit u mblodh në Shkollë më datë 26 prill 2025 për të hartuar çelësin e përgjigjeve për çdo fushë dhe rast praktik mbi të cilin do të vlerësoheshin kandidatët në dy ditët e provimit. Çelësi i tezave u shpall menjëherë publikisht në mjediset e Shkollës së Magjistraturës dhe në faqen zyrtare.
Procesi i korrigjimit të provimit u zhvillua i pandërprerë prej datës 28 prill 2025 deri në datën 5 maj 2024, në mjediset e Shkollës së Magjistraturës, sipas parashikimeve të Rregullores së Brendshme të Shkollës lidhur me rregullat e procesit të korrigjimit.
Shpallja e rezultateve
Shkolla e Magjistraturës, në datën 5 maj 2025, njoftoi publikisht për zhvillimin e procesit të identifikimit më 6 maj 2025, ora 9.30. Më 5 maj në mjediset e Shkollës dhe në faqen zyrtare dolën paraprakisht rezultatet e provimit të fazës së dytë, sipas numrave të sekretimit për të dyja ditët.
Procesi i identifikimit filloi në orën 9:30 minuta. Në shpalljen e rezultateve ishin të pranishëm pjesa më e madhe e konkurrentëve. Ky proces u ndoq në kohë reale nga të interesuarit, në adresën e njoftuar nga Shkolla, në mënyrë që kushdo të njihej me procedurën dhe rezultatet e vlerësimit. Në përfundim të këtij procesi, Shkolla publikoi listën përfundimtare ku u renditën konkurrentët sipas pikëve të marra prej tyre në fazën e dytë të provimit të pranimit.
Mbi rezultatet e vlerësimit
Nga 118 (njëqind e tetëmbëdhjetë) konkurrentë që morën pjesë në fazën e dytë të provimit të pranimit, 20 (njëzet) prej tyre arritën të vlerësohen me më shumë se 60% (gjashtëdhjetë për qind) të pikëve maksimale të mundshme për të dy ditët (katërqind pikë). Pra, 17% (shtatëmbëdhjetë për qind) e konkurrentëve arritën të kalonin pragun minimal të vendosur nga Rregullorja. Trembëdhjetë konkurrentët e renditur menjëherë pas tyre e deri në konkurrentin e fundit që ka arritur të marrë mbi 200 (dyqind) pikë në këtë provim (50% (pesëdhjetë për qind) e pikëve totale të fazës së dytë), varësisht nga interesi i tyre, do të vijojnë të konkurrojnë për pozicionet e këshilltarit ligjor në Prokurori, Avokatit të Shtetit në nivel vendor dhe ndihmësit ligjor.
Testimi i tretë- testi i shëndetit mendor dhe psikologjik
Testi i shëndetit mendor dhe psikologjik do të zhvillohet sipas rregullave të përcaktuara në Rregulloren e Brendshme të Shkollës së Magjistraturës dhe ecuria e tij do të jetë pjesë e një njoftimi tjetër nga ana e Shkollës.