Në kuadër të bashkëpunimit me Rrjetin Gjyqësor Evropian të Trajnimeve, nga data 24-27 qershor 2024, Shkolla e Magjistraturës, si çdo vit, mori pjesë në konkursin ndërkombëtar e-THEMIS në gjysmëfinalen C “e drejta procedurale civile evropiane dhe e BE-së”. Konkursi u zhvillua në qytetin e Romës, Itali.
Në këtë aktivitet, skuadra e Shkollës së Magjistraturës përbëhej nga Ilva Hamzaj dhe Irma Velo, kandidate për magjistrate në vitin e dytë të studimeve, nën mentorimin e pedagoges së brendshme dr. Aida Bushati LLM.
“Biznes me risk: a munden masat e përkohshme të lëshuara nga gjykatat shqiptare të mbrojnë të drejtat e kreditorëve të BE-së?” ishte tema me të cilën u prezantua Shkolla e Magjistraturës në konkursin e këtij viti.
Punimi i realizuar dhe prezantuar nga skuadra e Shkollës së Magjistraturës u vlerësua maksimalisht nga anëtarët e jurisë dhe më konkretisht vlerësimet e marra ishin për një punë origjinale të shkëlqyer, risitë e sjella ishin në drejtim të krahasimit dhe ndërveprimit ndërmjet ligjit procedural shqiptar dhe atij të BE-së, origjinaliteti i prezantimit, që nuk ishte thjesht përsëritje e materialit të shkruar, si dhe njohuritë e thelluara me një anglishte ligjore të shkëlqyer.