Partneritet ndërmjet Shkollës së Magjistraturës dhe Zyrës Gjyqësore të Anglisë dhe Uellsit për Edukimin Gjyqësor

Në datën 28 maj 2024, në Shkollën e Magjistraturës u organizua aktiviteti përshëndetës që shënoi nisjen e një projekti të ri Partneriteti mes Shkollës së Magjistraturës dhe Zyrës Gjyqësore të Anglisë dhe Uellsit.

Partneriteti për Edukimin Gjyqësor është pjesë e mbështetjes së Mbretërisë së Bashkuar për sistemin e drejtësisë në Shqipëri.

Ky projekt do t’iu ofrojë mundësi gjyqtarëve shqiptarë, qofshin ata të emëruar së fundmi ose që ndjekin trajnime, për t'u lidhur me gjyqtarë dhe akademikë ligjorë me përvojë nëpërmjet vizitave mes dy vendeve, mentorimit dhe shkëmbimit të praktikave më të mira në fushat me interesa prioritare të identifikuara nga Shkolla e Magjistraturës dhe institucione të tjera gjyqësore.

Partneriteti mes Shkollës së Magjistraturës dhe Zyrës Gjyqësore të Anglisë dhe Uellsit u përshëndet dhe përgëzua nga Drejtori i Shkollës, Z. Arben Rakipi, Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri, Z. Alastair King Smith, përfaqësuesi i Zyrës Gjyqësoer, Lord Justice Dingemans dhe Kryetari i Gjykatës së Lartë, Z. Sokol Sadushi, të cilët shprehën besimin se ky bashkëpunim do të shenjoj një standard të ri sjellje për magjistratin shqiptar dhe do të sjellë ndryshim për drejtësinë në Shqipëri.

Aktiviteti përshëndetës u pasua nga një takim me Drejtorin e Shkollës, Z. Rakipi dhe pedagogët e Shkollës ku u shkëmbye informacion më i detajuar për aktivitetin akademik të Shkollës, programet e ndryshme trajnuese si dhe u diskutua për fokusin e shkëmbimeve gjatë vitit të ri akademik.

Në përmbyllje të aktivitetit, Lord Justice Dingemans dhe Judge Martin Picton zhvilluan një leksion të hapur me kandidatët për magjistratë të vitit të tretë ku u diskutua rëndësia e profesionit të magjistratit dhe rëndësia e një gjyqësori të pavarur në mbështetjen e shtetit të së drejtës.