Ceremonia e Diplomimit të Brezit të Magjistratëve 2021-2024

Me rastin e përfundimit të programit 3-vjeçar të Formimit Fillestar të edukimit dhe formimit profesional të brezit të magjistratëve 2021-2024, Shkolla e Magjistraturës organizoi sot ceremoninë e diplomimit të tyre. Ceremonia u zhvillua në ambientet e amfiteatrit në godinën Poli i Drejtësisë me diplomimin e 55 magjistratëve të rinj, 32 gjyqtarëve dhe 23 prokurorëve. 

 

Aktiviteti u përshëndet nga Drejtori i Shkollës Z. Arben Rakipi, Kryetari i Këshillit Drejtues dhe Kryetari i Gjykatës së Lartë, Z. Sokol Sadushi, Ministri i Drejtësisë Z. Ulsi Manja, përfaqësues të partnerëve kryesorë ndërkombëtarë të Shkollës, si Ambasadori i Bashkimit Evropian, Z. Silvio Gonzato, Kreu i Prezencës së OSBE, Z. Michel Tarran, Kreu i Zyrës së Këshillit të Evropës, Znj. Giulia Re, si dhe Drejtori i Byrosë për Çështjet Ndërkombëtare të Lëndëve Narkotike dhe Zbatimit të Ligjit i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Z. John Kastning. Njëkohësisht, aktiviteti u përshëndet dhe nga Z. Xhulio Doku, magjistrat i sapodiplomuar.

 

Në fjalën e tij përshëndetëse, Drejtori i Shkollës e vuri theksin, ndër të tjera, tek rëndësia themelore e profesionit të fituar tashmë nga të diplomuarit si dhe përpjekjet e vazhdueshme që duhet të vijojnë të bëjnë ata për të shndërruar profesionin e magjistratit në profesion të besueshëm me qëllimin për të siguruar realizimin e pritshmërive të publikut. 

 

Në këtë mënyrë, edhe ky diplomim është një tjetër mbështetje cilësore që Shkolla vijon të japë nëpërmjet procesit të saj të edukimit dhe formimit të magjistratëve të rinj në shërbim të sistemit të drejtësisë në vend.