U zhvillua mbledhja e Këshillit Pedagogjik të Shkollës së Magjistraturës, 21.9.2026

Sot, në mjediset e Shkollës së Magjistraturës, u zhvillua mbledhja e Këshillit Pedagogjik, ku u shqyrtuan planet dhe programet mësimore për vitin akademik 2026-2027.

Një risi e rëndësishme e këtij viti akademik është organizimi, për herë të parë, i një programi të veçantë formimi për ndihmësit ligjorë, të pavarur nga programi i kandidatëve për magjistratë. Ky program është konceptuar mbi baza bashkëkohore, duke ndërthurur metodologji moderne dhe praktikat më të mira të mësimdhënies.

Gjithashtu, avokatët e shtetit do të vazhdojnë ndjekjen e vitit të dytë të Programit të Formimit Fillestar.

Pas shqyrtimit nga Këshilli Pedagogjik të planeve mësimore për të tre programet e formimit, si dhe të programeve të lëndëve përkatëse, këto dokumente, së bashku me listën e pedagogëve, do t’i paraqiten për miratim Këshillit Drejtues të Shkollës së Magjistraturës.

Shkolla e Magjistraturës mbetet e përkushtuar ndaj zhvillimit dhe përmirësimit të vazhdueshëm të programeve të saj akademike, me synimin për të garantuar përgatitjen sa më cilësore të profesionistëve të sistemit të drejtësisë.