The Court Administration Program

Synimi parësor i Programit për Administrimin e Gjykatës (PAGJ) është krijimi i një grupi drejtuesish për administrimin e gjykatave, të trajnuar sipas standardeve ndërkombëtare të menaxhimit. PAGJ-ja është zhvilluar për të ndihmuar në arritjen e këtij qëllimi, duke u ofruar pjesëmarrësve një themel të fortë parimesh dhe praktikash të menaxhimit modern të gjykatës, duke përfshirë një pasqyrim të historisë dhe parimeve për administrimin e gjykatës, si dhe të kuptuarit e vlerave dhe karakteristikave të funksionimit të sistemit të gjykatës.

PAGJ-ja synon të zhvillojë karakteristikat e mëposhtme të drejtimit:

•      Lidershipin: Aftësia dhe gatishmëria për të drejtuar dhe menaxhuar të tjerët.

•      Kompetencën teknike: Njohuri profesionale dhe të përditësuara mbi metodat dhe procedurat e punës.

•      Pikëpamjen strategjike: Aftësia për të mbledhur dhe analizuar informacione që japin një këndvështrim më të gjerë të prioriteteve, si dhe që parashikojnë mundësitë, nevojat dhe problemet e mundshme.

•      Perspektivën e balancuar: Një këndvështrim i gjerë që balancon nevojat e së tashmes dhe konsideratat afatgjata.

•      Ndjeshmërinë ndaj mjedisit: Njohja e tendencave të gjera mjedisore dhe ndikimit të tyre në përditshmërinë e gjykatave.

•      Fleksibilitetin: Të qenit i hapur ndaj informacionit të ri dhe toleranca ndaj stresit dhe paqartësisë në mjedisin e punës.

•      Orientimin ndaj veprimit: Vendosmëria, marrja e menduar e rrezikut dhe nxitja për të përfunduar gjërat.

•      Përqendrimin te rezultati: Vendosmëria për arritjen e qëllimit dhe për t’i çuar gjërat deri në fund.

•      Komunikimin: Aftësia për t’u shprehur në mënyrë të qartë dhe autoritare, si dhe për të dëgjuar qartë të tjerët.

•      Ndjeshmërinë ndërpersonale: Njohja e vetes dhe ndërgjegjësimi për faktin se si ndikon vetja juaj te të tjerët, ndjeshmëria ndaj nevojave dhe dobësive të të tjerëve, si dhe aftësia për t’u bashkuar me këndvështrimin e të tjerëve.

Përveç trajnimit të kancelarëve dhe stafit të ri gjyqësor dhe atyre në detyrë, kurikula e PAGJ-së ofron një instrument të besueshëm që drejtuesit e gjykatës mund të përdorin për të vlerësuar veten, stafin dhe kolegët në nevojat e zhvillimit profesional dhe prioritetet e edukimit. Po ashtu PAGJ-ja, përveçse shërben si një pikë orientimi për programet e ardhshme edukuese, ka si synim të lexohet dhe të reflektohet nga drejtuesit aktualë dhe të mundshëm të gjykatave dhe nga të tjerë aktorë të gjyqësorit dhe Shkollës së Magjistraturës, si një burim informacioni, dijesh dhe ndoshta, të kuptuarit më të mirë të gjykatave, qëllimeve të tyre, proceseve, praktikave dhe personave që i udhëheqin ato.

PAGJ është një program 14-javor që shqyrton natyrën komplekse të gjykatave dhe mjedisit në të cilat ato funksionojnë, duke aplikuar teorinë organizative, si dhe shërben si një kornizë për zbërthimin e gjykatave si sisteme komplekse me struktura, funksione, kultura, vlera, aktorë (gjykatësit, personeli i gjykatës, përdoruesit e gjykatës dhe të tjerë) dhe marrëdhënie. 
 

PAGJ përfshin modulet që ndodhen në figurë.