Library

Biblioteka e Shkollës së Magjistraturës është krijuar njëkohësisht me hapjen e Shkollës në vitin 1997. Ajo ka si qëllim t’ju shërbejë kandidatëve për magjistratë, stafit akademik dhe administrativ të shkollës, në ndihmë të zhvillimit të procesit mësimor dhe aktiviteteve të tjera të zhvilluara nga Shkolla. Fondi i Bibliotekës pasurohet vazhdimisht me literaturë bashkëkohore.

Biblioteka ofron kushte shumë të mira studimi dhe një fond të gjerë veprash jo vetëm në gjuhën shqipe, por edhe në gjuhë të huaj. Përveç stafit akademik, administrativ dhe kandidatëve për magjistratë, Bibliotekën e Shkollës kanë të drejtë ta shfrytëzojnë dhe anëtarë të Këshillit Drejtues të Shkollës, gjyqtarë, prokurorë në detyrë, pedagogë të jashtëm, si dhe ekspertë.

Biblioteka e Shkollës së Magjistraturës është tashmë pjesë e sistemit COBISS.net, një sistem i regjistrimit bibliografik dhe katalogimit të përbashkët online për të gjithë Evropën Juglindore.

Në Bibliotekë gjendet koleksioni i plotë i botimeve periodike, si: revista shkencore "Jeta Juridike", revista "Magjistrati" dhe titujt e librave të botuar nga Shkolla e Magjistraturës.

 RREGULLORE E BRENDSHME E BIBLIOTEKËS SË SHKOLLËS SË MAGJISTRATURËS

Në zbatim të ligjit nr. 8576, datë 03.02.2006 "Për Bibliotekat në Republikën e Shqipërisë" i ndryshuar me ligjin nr. 9217, datë 08.04.2004 "Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8576, datë 03.02.2006 "Për Bibliotekat në Republikën e Shqipërisë" hartohet dhe miratohet kjo rregullore me përmbajtje si vijon:

                                                                                                    Neni 1

                                                                                                  QËLLIMI

 

Biblioteka e Shkollës së Magjistraturës ka si qëllim t’i shërbejë kandidatëve për magjistratë, stafit akademik, stafit administrativ dhe Drejtorisë së Shkollës me literaturë të pasur dhe bashkëkohore në fushën e jurisprudencës, në ndihmë të procesit mësimor dhe aktiviteteve të tjera, për të cilat është e angazhuar shkolla.

E klasifikuar si bibliotekë speciale, Biblioteka e Shkollës së Magjistraturës funksionon mbi bazë të kësaj Rregulloreje të Brendshme, e cila vendos rregullat normative të subjekteve të ndryshme në lidhje me bibliotekën, rregullon marrëdhëniet ndërmjet tyre dhe përcakton detyrat dhe përgjegjësitë e personelit të bibliotekës.

                                                                                                   Neni 2

                                                                                               SHËRBIMI

  

Biblioteka ofron shërbim çdo ditë nga e hëna deri të premten gjatë gjithë orarit zyrtar të punës në Shkollën e Magjistraturës.

Anëtarëve të bibliotekës u vihen në dispozicion të gjitha koleksionet në përbërje të fondit të bibliotekës.

Për koleksionet e periodikëve, disertacionet dhe titujt që disponohen vetëm në një kopje ofrohet leximi në sallë dhe ndalohet huazimi.

Përdoruesve të bibliotekës u ofrohet fotokopjimi falas deri në 15 faqe material për tituj të ndryshëm. Përjashtohet nga ky shërbim koleksioni i disertacioneve (Temat e kandidatëve për magjistratë të vitit të dytë.).

Përshkrimi bibliografik i çdo materiali në përbërje të fondit të bibliotekës është i aksesueshëm online në katalogun e përbashkët COBISS.al, pjesë e  platformës digjitale për katalogim dhe përshkrim bibliografik të përbashkët COBISS.net.

Ju ftojmë të shfletoni bazën e të dhënave me tekst të plotë Unpaywall në linkun e meposhtem.

Baza e të dhënave Unpaywall përmban më shumë se 31 milion artikuj shkencorë me qasje të hapur në tekst të plotë. Përmbajtjet në qasjen e hapur merren nga bazat e të dhënave të mbi 50.000 botuesve dhe repositorëve.

UNPAYWALL – kërkimi :: COBISS+

Bazën e të dhënave e gjeni në linkun e mëposhtëm:

https://plus.cobiss.net/cobiss/al/sq/bib/search?db=shmt