Regulation for taking Covid-19 measures

RREGULLORE

PËR MARRJEN E MASAVE ORGANIZATIVE PËR USHTRIMIN E VEPRIMTARISË

SË SHKOLLËS SË MAGJISTRATURËS GJATË GJENDJES SË EPIDEMISË SË SHKAKTUAR NGA COVID-19

  • Neni 1

DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

1. Qëllimi i kësaj rregulloreje është organizimi dhe funksionimi i punës në Shkollën e Magjistraturës, për të garantuar vijimësinë e punës dhe kushte të përshtatshme për reduktimin e transmetimit të COVID-19.

2. Objekti i kësaj rregulloreje është përcaktimi i rregullave, procedurave standarde të punës të harmonizuara, në përputhje me udhëzimet e dhëna nga  Instituti i Shëndetit Publik dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë.

3. Shkolla e Magjistraturës, brenda fushës së saj të veprimit duhet të sigurojë funksionimin normal të institucionit dhe kryerjen e rregullt të të gjitha veprimtarive institucionale, duke garantuar zbatimin e masave dhe udhëzimeve të sigurisë të rekomanduara nga Instituti i Shëndetit Publik dhe nga kjo rregullore.

  • Neni 2

ORGANIZIMI I PUNËS NË INSTITUCION GJATË PERIUDHËS SË GJENDJES SË EPIDEMISË

1. Gjatë periudhës së gjendjes së epidemisë, Shkolla e Magjistraturës do të realizojë veprimtarinë e saj nëpërmjet kombinimit të punës në ambientet e institucionit dhe punës në distancë online.

2. Për realizimin e detyrimit të përcaktuar në pikën 1, të këtij neni, Shkolla e Magjistraturës duhet të përcaktojë në mënyrë të detajuar dhe të qartë grafikun e nëpunësve që do të punojnë në ambientet e institucionit dhe të atyre që do të punojnë në distancë online. Grafiku do të miratohet nga kancelari/drejtori i Shkollës së Magjistraturës.

3. Në përcaktimin e numrit të nëpunësve/punonjësve që do të punojnë në zyra do të mbahet në konsideratë sipërfaqja totale e insitucionit me detyrimin e respektimit të largësisë prej 2 metrash ndërmjet nëpunësve/punonjësve .

4. Në përcaktimin e nëpunësve/punonjësve që mund të punojnë në distancë online institucioni do të bazohet në:

a)  Vlerësimin e llojit të detyrave që ushtrojnë nëpunësit/punonjësit;

b)  Evidentimin e rasteve të nëpunësive/punonjësve me patologji të ndryshme, të cilët janë më të rrezikuar në rast infektimi nga COVID-19;

c)  Evidentimin e nëpunësve/punonjësve që kanë në kujdestari fëmijë deri në moshën 14- vjeç.

Për rastet e parashikuara në shkronjat “b” dhe “c” , të kësaj pike, përpara miratimit të grafikut, institucioni duhet të konsultohet me nëpunësit/punonjësit me qëllim që të mundësohet realizimi i detyrave dhe për t’u përshtatur me kërkesat e tyre.

5. Nëpunësit/punonjësit e Shkollës së Magjistraturës që do të kryejnë detyrat në ambientet e institucionit, do të respektojnë rregullat e zakonshme për realizimin e detyrave të tyre funksionale, si dhe rregullat e përcaktuara nga Instituti i Shëndetit Publik dhe në nenet në vijim të kësaj rregulloreje.

6. Puna në distancë dhe e realizuar online ka të njëjtën kohëzgjatje kohore si puna në ambientet e punës së institucionit.

7. Gjatë punës në distancë online nëpunësit/punonjësit duhet të vënë në dispozicion të eprorëve dhe të Sektorit të Shërbimeve, Burimeve Njerëzore dhe Teknologjisë së Informacionit detajet e kontaktit të tyre dhe të jenë të aksesueshëm online gjatë gjithë orarit zyrtar.

8. Eprori i drejtëpërdrejtë do duhet të:

a)  përcaktojë rregulla të qarta se sa shpejt nëpunësi/punonjësi që po punon në distancë online duhet t'i përgjigjet një kërkese/detyre të ngarkuar;

b)  monitorojë nëpunësit/punonjësit në distancë online për punën që ata po kryejnë, nëpërmjet

takimeve të detyrueshme në grup, bashkëpunimit me ekipin, raportimeve ditore/javore/

mujore.

9. Nëpunësit/punonjësit që punojnë në distancë online duhet të kenë thirrje në ekip një herë në ditë dhe të informohen e informojnë rreth statusit të realizimit të detyrës së dhënë. Atyre do t’u sigurohet mundësia për të shkëmbyer informacion.

10. Shkolla e Magjistraturës do të sigurojë që nëpunësit/punonjësit që punojnë në distancë online të marrin mbështetjen dhe informacionin e nevojshëm për punën duke komunikuar rast pas rasti me specialistët e IT.