Takim me pedagogët e jashtëm të Shkollës së Magjistraturës përpara nisjes së vitit të ri akademik

Shkolla e Magjistraturës, në prag të nisjes së vitit të ri akademik 2024-2025, organizoi një takim me stafin pedagogjik të jashtëm, pjesë e pandarë e procesit të mësimdhënies.   

Drejtori i Shkollës dhe Përgjegjësi i Formimit Fillestar prezantuan prioritetet e Shkollës së Magjistraturës, në mbështetje edhe të Projektit të Binjakëzimit për këtë vit akademik, me synim përmirësimin e procesit të mësimdhënies, procesit të mentorimit, pasurimit të temave mësimore me praktika të reja gjyqësore, për të arritur te formimi i kandidatëve magjistratë të aftë për të prodhuar akte gjyqësore në përfundim të Shkollës. 

Veprimtaria e gjithë stafit akademik, ashtu si edhe vitin e kaluar, do të lehtësohet edhe nga përdorimi i platformës elektronike të Sistemit të Menaxhimit të Veprimtarisë së Shkollës së Magjistraturës (SMVSHM). Për të pranishmit u prezantua edhe një herë mënyra e përdorimit të kësaj platforme dhe hapat që duhen ndjekur për të vepruar në të.