Takim me Gjyqtarë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës

Në kuadër të bashkëpunimit me Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, sot në Shkollën e Magjistraturës u zhvillua një vizitë pune e dy gjyqtarëve nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e nderuara Trina Higgins, Prokurore e Shteteve të Bashkuara për Distriktin e Utah dhe Z. Robert Shelby, Kryetar i Gjykatës së Shteteve të Bashkuara për Distriktin e Utah. Dy gjyqtarët amerikanë shoqëroheshin nga Z. David Backman, Këshilltar Ligjor Rezident, OPDAT dhe Z. John Kastning, Drejtor i INL në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. 

 

Gjyqtarët amerikanë, në Shkollën e Magjistraturës, u pritën nga Drejtori i Shkollës, Z. Arben Rakipi, Z. Sokol Berberi, pedagog përgjegjës për Formimin Fillestar, Z. Vangjel Kosta, pedagog përgjegjës për Formimin Vazhdues, si dhe katër kandidatë për magjistratë të profilit gjyqtar dhe prokuror, në vitin e 3 të studimeve. 

 

Takimi u realizua në kontekstin e ndërveprimit të institucioneve amerikane të drejtësisë me institucionet e Shqipërisë dhe u përqëndrua rreth informimit në lidhje me Shkollën e Magjistraturës dhe sistemit të përgatitjes së gjyqtarëve dhe prokurorëve të ardhshëm në shkollë. Miqtë u informuan në lidhje me misionin dhe detyrat e shkollës, me pranimin e kandidatëve për magjistratë në shkollë, programin e formimit fillestar dhe programin e formimit vazhdues profesional për magjistratët. Gjatë takimit, njëkohësisht ndër të tjera, u shpjegua edhe roli vendimtar i shkollës në mbështetje të reformës në drejtësi dhe më konkretisht në plotësimin e vendeve vakante në ndihmë të lehtësimit të mbingarkesës në sistemin tonë të drejtësisë.

 

Gjyqtarët amerikanë vlerësuan faktin e lidhjes së ngushtë që ka Shkolla e Magjistraturës me magjistratët në detyrë, duke i bërë ata pjesë të stafit mësimdhënës dhe trajnues të shkollës, si një nga përvojat më të mira të trajnimit të profesionistëve të ligjit. Njëkohësisht, ata vlerësuan edhe faktin e pasjes së një institucioni të posaçëm, siç është Shkolla, për trajnimin edhe të prokurorëve me aftësitë e nevojshme për ushtrimin e detyrës pas diplomimit.