Aktivitet: Avancimi i të Drejtave të Kafshëve në Shqipëri, Bashkëpunimi Ndër-institucional dhe Përvoja Zvicerane

Në kuadër të bashkëpunimit me organizata jo-qeveritare, me ftesë të organizatës AnimalsNeedMe Albania, Drejtori i Shkollës së Magjistraturës, Z. Arben Rakipi, mori pjesë dhe mbajti një fjalë përshëndetëse në aktivitetin me tematikë “Avancimi i të Drejtave të Kafshëve në Shqipëri, Bashkëpunimi Ndër-institucional dhe Përvoja Zvicerane”.

Në fjalën e tij, Z. Rakipi shpjegoi rolin e Shkollës së Magjistraturës në përgatitjen e kandidatëve për magjistratë, më pas duke u përqëndruar tek aspektet ligjore të mbrojtjes së kafshëve në Shqipëri, kuadri ligjor i Bashkimit Evropian si pjesë e legjislacionit dhe praktikës gjyqësore shqiptare lidhur me kafshët, si dhe vëmendjen që i është kushtuar çështjeve dhe problematikave të mbrojtjes së kafshëve në Kodin Penal të Shqipërisë. Në mbyllje, Z. Rakipi e vuri theksin tek roli i Shkollës së Magjistraturës në ndërgjegjësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve për çështjet e mbrojtjes së kafshëve.

Më tej gjatë aktivitetit u trajtuan tematika të ndryshme si rëndësia e studimit të legjislacionit në mbrojtje të kafshëve me synimin e përforcimit të tyre, statistikat e abuzimit me kafshët dhe sfidat e hasura në Shqipëri, ndërlidhja ndërmjet dhunës ndaj kafshëve dhe asaj ndaj njerëzve si dhe mbrojtja e kafshëve në shqipëri, etj.

Aktiviteti u zhvillua me rastin e 4 Tetorit, Ditës Botërore të Kafshëve me fokus gjyqtarët, prokurorët, punonjësit e policisë së shtetit dhe veterinerët e AKVMB. Njëkohësisht pjesëmarrës ishin edhe organizata ndërkombëtare për të drejtat e kafshëve për të mbajtur referimet e tyre. Seminari u zhvillua në seksione konference, ëorkshop-e dhe panele diskutimi, duke përfshirë dhe aktorë të tjerë si Urdhrin Veterinar, AKVMB, Albanian Veterinarz Association etj.