School of Magistrates Ethics Code

Preambula

Shkolla e Magjistraturës e Republikës së Shqipërisë, në zbatim të ligjit nr. 115/2016, “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, ligjit nr. 96/2016, “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, ligjit nr. 98/2016, “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”, ligjit nr. 97/2016, “Për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”, ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, realizon aktivitetin e saj për të siguruar formimin profesional të magjistratëve në këto drejtime: në rekrutimin dhe formimin fillestar të kandidatëve për magjistratë, për pozicionet në Avokaturën e Shtetit, për ndihmës ligjorë dhe për kancelarë në gjykata dhe prokurori; në formimin profesional vazhdues të magjistratëve në detyrë, të avokatëve të shtetit në detyrë, ndihmësve ligjorë dhe kancelarëve në detyrë, në gjykata dhe prokurori, si dhe profesioneve të tjera ligjore; në publikimin dhe kërkimin shkencor. 

Gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve e prokurorëve, veprimtaria e Shkollës së Magjistraturës është e orientuar në drejtim të: realizimit të testimit për këshilltarët ligjorë të Gjykatës Kushtetuese, ndihmësit ligjorë të Gjykatës së Lartë, Gjykatës Administrative, si dhe ndihmësit ligjorë në Prokurorinë e Përgjithshme, të cilët nuk janë magjistratë, si dhe për ish-këshilltarët ligjorë në Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë, me tre vjet përvojë; realizimit të procesit të Formimit Fillestar, nëpërmjet ndjekjes së një programi edukimi dyvjeçar; realizimit të procesit të Formimit Fillestar, nëpërmjet ndjekjes së një programi edukimi njëvjeçar, për gjyqtarët dhe prokurorët në detyrë, të cilët nuk e kalojnë sistemin e rivlerësimit profesional; realizimit të testimit për ish-gjyqtarët e ish-prokurorët që dëshirojnë të hyjnë në sistem, për të cilët nuk ka raporte vlerësimi për aftësitë e tyre profesionale. 

Subjektet pjesëmarrëse në veprimtarinë e Shkollës së Magjistraturës të Republikës së Shqipërisë përballen çdo ditë me veprime, sjellje, qëndrime, urdhra, vendime, të cilat përveç aspektit ligjor, kanë edhe implikime etike e morale, si edhe kanë të bëjnë me çështje që kanë një interes të lartë publik. Publiku kërkon një Shkollë Magjistrature me vendimmarrje të ligjshme, shërbim cilësor, të hapur, të aksesueshme dhe të drejtuar si duhet. Për të siguruar vendosjen e besimit publik në integritetin e Shkollës së Magjistraturës të Republikës së Shqipërisë, hartohet ky Kod Etik, i cili është konceptuar si një mjet për të nxitur përmirësimin e vazhdueshëm të qëndrimeve dhe sjelljeve drejt standardeve më të larta të drejtimit dhe ridimensionimin e moralitetit të zakonshëm në sferën e edukimit fillestar dhe vazhdues të magjistratëve. Ky akt do të përbëjë kuadrin e veprimtarisë së përditshme të subjekteve që u drejtohet për sa ata kryejnë veprimtari brenda e jashtë auditorëve të Shkollës së Magjistraturës, duke orientuar qëndrimin e tyre përreth interesit publik në tërësi dhe Institucionit tonë në veçanti.