Bashkëbisedim tematik mbi procesin e integrimit në Bashkimin Evropian

Sot, më 27.3.2026, në orën 9:30, në sallën e amfiteatrit të Godinës “Poli i Drejtësisë”, u zhvillua bashkëbisedimi mbi procesin e integrimit në Bashkimin Evropian me temë: “Bashkimi Evropian dhe Unë. Evropa në shtëpi.” 

Ky aktivitet u organizua në kuadër të bashkëpunimit institucional të Shkollës së Magjistraturës me:  Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe Ministrinë e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin. Paneli i këtij bashkëbisedimi përbëhej nga z. Ferit Hoxha, znj. Adea Pirdeni, si dhe Drejtori i Shkollës së Magjistraturës, z. Arben Rakipi. Në aktivitet ishin të pranishëm kandidatët për magjistratë dhe pedagogët e brendshëm  të Shkollës. Njëkohësisht, në këtë bashkëbisedim morën pjesë edhe përfaqësues të projektit të binjakëzimit me BE-në, që aktualisht po ofron mbështetjen e tij për proceset e ndryshme të formimit profesional në Shkollë.   

Ndër të tjera folësit nënvizuan se rruga drejt magjistraturës është një mision i lartë shërbimi publik, ku integriteti, profesionalizmi dhe pavarësia janë themeli i çdo vendimi. Kandidatët për magjistratë mbajnë mbi vete detyrimin moral ndaj brezave të rinj për të garantuar drejtësi të ndershme dhe të paanshme, duke përfaqësuar standarde evropiane në çdo hap të formimit dhe karrierës së tyre. Pavarësia e tyre nuk është privilegj personal, por garancia e besimit publik te drejtësia, ndërsa etika dhe dinjiteti duhet të shfaqen si brenda ashtu edhe jashtë sallës së gjykimit. Ata janë brezi që do të udhëheqë transformimin e sistemit të drejtësisë dhe do të dëshmojë se Shqipëria mund të ketë institucione të forta, moderne dhe të besueshme, në përputhje me aspiratën e integrimit evropian.