Këshilli Drejtues i Shkollës së Magjistraturës së Republikës së Shqipërisë, me vendimin e datës 19.12.2024, shpall një vend vakant për pedagog të brendshëm pranë Shkollës së Magjistraturës.
Kriteret e përzgjedhjes për pozicionin e pedagogut të brendshëm janë përcaktuar në nenin 264, të Ligjit nr. 115/2016 «Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë », si dhe në aneksin 11 të Rregullores së Brendshme të Shkollës së Magjistraturës të miratuar nga Këshilli Drejtues.
Me hapjen e negociatave për Grupkapitullin e Parë – Themeloret në kuadër të procesit të negociatave për anëtarësim në BE në të cilat tashmë gjendet vendi ynë, dhe për shkak të nevojave të plotësimit të programeve fillestare dhe vazhduese të Shkollës që lidhen me Kapitullin 24, Drejtësia, Liria dhe Siguria, kandidati preferohet të ketë profil që lidhet me Schengen Acquis, të Drejtën e Azilit dhe Emigracionit në BE, Mbrojtjen e Interesave Financiare të BE-së nëpërmjet Hetimit/Ndëshkimit Administrativ dhe Ndjekjes Penale, Bashkëpunimin Gjyqësor në Çështje Penale dhe Civile në BE si dhe, të njohë nga afër metodologjinë e përdorur në Shkollën tonë për trajnimin vazhdues apo edhe në Rrjetin Evropian të Trajnimit Gjyqësor (EJTN).
Shkolla vlerëson si prioritare të përzgjedhë kandidatë me eksperiencë si gjyqtar apo prokuror. Thirrja është e hapur edhe për të interesuar që kanë pasur ndër vite lidhje të ngushtë me veprimtarinë e saj, në trajnimin vazhdues dhe fillestar dhe janë njohës të mirë të lëndës përkatëse.
Kandidatët, gjyqtarë apo prokurorë, duhet të paraqesin kërkesat e tyre pranë Këshillave përkatës dhe të marrin miratimin e tyre sipas rregullave të shënuara në ligj apo akteve të brendshme të Këshillave.
Kandidatët jashtë sistemit të drejtësisë duhet të paraqesin aplikimin e tyre pranë sekretarisë së Shkollës së Magjistraturës, në përputhje me aneksin 11 të Rregullores së Shkollës.
Afati i fundit i dorëzimit të dokumentacionit në destinacionet përkatëse, është data 31 janar 2025.