Logo
Banner Banner

Formimi Fillestar

Banner
Formimi fillestar i kandidatëve për magjistratë përfshin një periudhë tre vjecare që përbëhet nga:...

Formimi i Vazhduar

Banner
Në kuadër të përmbushjes së misionit të saj Shkolla e Magjistraturës ofron formimin e ...

Aktiviteti i fundit

Banner
Aktiviteti i fundit i Shkollës së Magjistraturës - THEMIS Competition 2021

Raport për vlerësimin përfundimtar të kandidatëve që kanë aplikuar për pranimin në Formimin Fillestar, për vitin akademik 2021 – 2022

             
SHKOLLA E MAGJISTRATURËS
 
Lënda: Raport për vlerësimin përfundimtar të kandidatëve që kanë aplikuar për pranimin në Formimin Fillestar, për vitin akademik 2021 – 2022.
 
Pas shpalljes me vendimin nr. 35, datë 28.1.2021, “Mbi numrin e kandidatëve që do të pranohen në Programin e Formimit Fillestar pranë Shkollës së Magjistraturës, për vitin akademik 2021 – 2022”, të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe vendimit nr.17 , datë 27.1.2021, “Për caktimin e numrit të kandidatëve për magjistratë të profilit prokuror në Programin e Formimit Fillestar të Shkollës së Magjistraturës për vitin akademik 2021 – 2022” të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Drejtori i Shkollës së Magjistraturës nxori Urdhrin e Brendshëm nr.24, datë 1.2.2021, “Për provimin e pranimit për vitin akademik 2021-2022”, i cili rregullon në tërësi procesin e provimit të pranimit. 
Bazuar në nenin 28 të ligjit nr. 96/2016, Shkolla e Magjistraturës publikoi menjëherë thirrjen për kandidime për Formimin Fillestar, nëpërmjet shpalljes së njoftimit në faqen zyrtare të Këshillit të Lartë Gjyqësor, Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Shkollës së Magjistraturës, si dhe në dy prej gazetave me tirazh më të lartë në vend.
Me anë të këtij njoftimi u informuan të gjithë të interesuarit për fillimin e procedurës së aplikimeve, periudhën gjatë të cilës Shkolla e Magjistraturës pranon dhe mbledh dokumentacionin e personave të interesuar, kriteret që duhet të plotësohen sipas parashikimit në nenin 28 të ligjit nr. 96/2016 dhe në nenin 10 të Rregullores së Brendshme të Shkollës së Magjistraturës, si dhe dokumentacionin që duhet të dorëzohet nga personat e interesuar. Data e zhvillimit të provimit të pranimit u vendos të shpallej në një moment të dytë, duke parë situatën e përgjithshme të pandemisë në vend.
Në Urdhrin e Brendshëm u përcaktua edhe ngritja dhe përbërja e Komisionit për verifikimin e dokumentacionit për procesin e regjistrimit, me këta anëtarë:
1. Z. Dashamir Kore, pedagog i brendshëm i Shkollës së Magjistraturës;
2. Znj. Erjola Mura, sekretare shkencore për Formimin Fillestar;
3. Znj. Jonida Dragoti, sekretare shkencore për Formimin Fillestar.
Përgjatë periudhës 1 shkurt deri më 1 mars 2021[1], sekretaria shkencore për Formimin Fillestar pranë Shkollës së Magjistraturës ka pranuar aplikimet nga personat e interesuar për të marrë pjesë në provimin e pranimit.
Provimi i pranimit për vitin akademik 2021-2022, u vendos të zhvillohet në datat:
-        19 prill 2021, faza e parë, testi i inteligjencës.
-        22 prill 2021, faza e dytë, testi profesional.
Gjatë periudhës së regjistrimit, personat që shprehën interesin dhe kryen procedurat e regjistrimit për të marrë pjesë në provimin e muajit prill janë në total 305 (treqind e pesë), nga të cilët:
-        286 (dyqind e tetëdhjetë e gjashtë) aplikues për kandidatë për magjistratë;
-        74 (shtatëdhjetë e katër) aplikues për kandidatë për këshilltarë dhe ndihmës ligjorë.
Pas përfundimit të periudhës së regjistrimit, 74 (shtatëdhjetë e katër) aplikantë për kandidatë për këshilltarë e ndihmës ligjorë u dërguan për verifikimin e kritereve ligjore në Këshillin e Lartë Gjyqësor, ndërsa për konkurrentët që kanë aplikuar për kandidatë për magjistratë, Komisioni për verifikimin e dokumentacionit filloi punën për të vlerësuar përmbushjen e kritereve ligjore, mbi bazën e dokumentacionit përkatës.
Ky komision, bazuar në nenin 28 të ligjit nr. 96/2016, “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, si dhe në nenin 10 të Rregullores së Brendshme të Shkollës, ka bërë kualifikimin dhe skualifikimin e aplikantëve. Për të marrë pjesë në provimin e pranimit për formimin fillestar për kandidat për magjistrat duhet të plotësojë kriteret e përcaktuara në nenin 28 të ligjit nr. 96/2016, si dhe në nenin 10 të Rregullores së Brendshme të Shkollës së Magjistraturës, kritere të cilat janë kumulative me njëra-tjetrën dhe që duhet të plotësohen njëkohësisht nga kandidati për të marrë pjesë në këtë provim.
Kriteri ligjor që ka rezultuar në numrin më të madh të të skualifikuarve është ai i mesatares së përgjithshme dhe i mesatares së lëndëve kryesore. Ligji nr. 96/2016, “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” e delegon këtë kompetencë te Shkolla e Magjistraturës, e cila në nenin 10, pika 4, germa “d”, të Rregullores së Brendshme parashikon se nota mesatare e përgjithshme dhe nota mesatare e grupit të lëndëve kryesore duhet të jetë jo më pak se 8. Ky kriter nuk është përmbushur nga 17 aplikantë.
Kriter tjetër ligjor është edhe ai i tre vjetëve përvojë profesionale aktive me kohë të plotë si jurist, pas diplomimit në ciklin e plotë të studimeve universitare, në sistemin gjyqësor ose të prokurorisë, në administratën publike, profesionet e lira ligjore, mësimdhënie në fakultetet e drejtësisë, ose në çdo pozicion tjetër të barasvlershëm me to, në sektorin privat ose organizatat ndërkombëtare. Nuk mund të konsiderohet eksperiencë pune për efekte kualifikimi sipas këtij ligji, eksperienca e fituar në institucionet e lartpërmendura nëse kjo eksperiencë nuk është e bazuar në aplikimin e dijeve që janë rrjedhojë e edukimit të plotë universitar. Ky specifikim i këtij kriteri në Rregulloren e Shkollës, i vendos të gjithë aplikantët në pozita të barabarta për të konkurruar në formimin fillestar për kandidatë për magjistratë.
Ky qëndrim mbahet edhe në ligjin e porsa miratuar nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, më konkretisht ligji nr. 50/2021, “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.96/2016, “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar. Në nenin 7, pika 2, në të cilin pasqyrohen shtesat dhe ndryshimet e nenit 28, germa “ç”, ku konkretisht parashikohet se: “2. Në shkronjën “ç”, pas togfjalëshit “me kohë të plotë” shtohet togfjalëshi “pas përfundimit të studimeve të integruara në drejtësi, sipas shkronjës “c” të këtij neni.”
Ky kriter nuk është përmbushur nga 12 aplikantë.
Më 12 mars 2021, mbi bazën e verifikimeve të kryera për kandidatët për magjistratë, Komisioni ka evidentuar gjetjet për çdo aplikim të paraqitur dhe arriti në përfundimin se:
-        286 (dyqind e tetëdhjetë e gjashtë) aplikantë të interesuar kanë dorëzuar dokumentet e kërkuara nga ligji dhe Rregullorja për të konkurruar për kandidatë për magjistratë;
-        32 (tridhjetë e dy) prej aplikantëve të interesuar nuk përmbushin kriteret ligjore për kandidatë për magjistratë, që lidhen kryesisht me mosplotësimin e kriterit të pikëve minimale, ose të përvojës profesionale prej tre vjetësh, pas marrjes së diplomës “Master i Shkencave”, ose mospasjes së një dëshmie të një prej 5 gjuhëve të huaja.    
-        Më datë 12 mars 2021, Shkolla e Magjistraturës ka përcjellë pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor dosjet për 282 (dyqind e tetëdhjetë e dy) aplikantë të profilit gjyqtar dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë dosjet për 241 (dyqind e dyzetë e një) aplikantë të profilit prokuror, së bashku me raportin për rezultatet e vlerësimit paraprak të tyre, procesverbalin e mbajtur nga Komisioni, si dhe listën dhe dosjet e aplikuesve, të cilët nuk kanë përmbushur kriteret ligjore.
 
KLP-ja dhe KLGJ-ja, paraqitën në mbështetje të nenit 30/“4” të ligjit nr. 96/ 2016, “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” komentet dhe sugjerimet mbi raportin paraprak të dorëzuar nga ana e Shkollës së Magjistraturës.
 
Më konkretisht:
 
1.     MBI REKOMANDIMET E KLGJ-SË
 
Për aplikanten znj. S.Q
 
KLGJ-ja është shprehur për aplikanten znj. S.Q që nuk përmbush kriterin e përvojës së nevojshme profesionale pas përfundimit të studimeve universitare. Znj. S.Q nuk i është njohur vërtetimi që ka marrë për periudhën e praktikës si asistente avokate pranë një avokati, sikurse sipas KLGJ-së për këtë periudhë stazhi nuk janë derdhur kontributet nga av. I.Sh dhe ndërmjet aplikantes dhe avokatit në fjalë nuk rezulton të jetë lidhur një kontratë e kësaj natyre dhe as të jenë përmbushur detyrimet për deklarimin dhe regjistrimin e kandidates pranë Dhomës Kombëtare të Avokatisë dhe Ministrisë së Drejtësisë.
Shkolla e Magjistraturës riverifikoj dosjen e aplikantes znj. S.Q, nga e cila rezulton se në librezën e punës ka të pasqyruar punën si Specialiste në Degën e Thesarit Tiranë, për një periudhë prej 2 vjet e 10 muaj.
Ndërkohë, nuk është marrë në konsideratë vërtetimi nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë, që vërteton kryerjen e 1 (një) viti stazh profesional si asistente avokate, si dhe vërtetimi nga av. I.Sh që ka kryer Stazhin e Praktikës si Asistente Avokate, për një periudhë 1-vjeçare, konform nenit 20, pika 3 të ligjit “Për profesionin e Avokatit në Republikën e Shqipërisë”, në të cilin parashikohet se: “Çdo avokat ose studio ligjore, që plotëson kushtet e pikës 2, të këtij neni, ka të drejtë të pranojë një ose më shumë kandidatë për avokatë. Kandidatët për avokatë lidhin marrëveshje me avokatin për kryerjen e stazhin 1-vjeçar në formë intershipi. Kandidatët për avokat gjatë periudhës së kryerjes së stazhit nuk përfitojnë pagesë. Avokati ose studioja e avokatisë, pranë të cilës kryhet stazhi, përjashtohen nga detyrimi për pagimin e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore të kandidatit për avokat, gjatë periudhës 1-vjeçare të kryerjes së stazhit. Periudha e stazhit njihet si periudhë vjetërsie në punë.”
Në total, bashkë me 1 (një) vit stazh profesional, aplikantja ka 3 vjet e 10 muaj, për rrjedhojë Shkolla e Magjistraturës vlerëson se konkurrentja përmbush kriteret ligjore për të marrë pjesë në provimin e pranimit për vitin akademik 2021-2022.
 
Për aplikanten znj. B.H
 
KLGJ-ja është shprehur për aplikanten znj. B.H që nuk përmbush kriterin e përvojës së nevojshme profesionale pas përfundimit të studimeve universitare. Në përllogaritjen e përvojës profesionale për aplikanten, duken të jenë përfshirë periudhat e punësimit në dy zyra noterie, të referuara sipas saj si asistent noter, ndërkohë që aplikantja ka mbajtur pozicionin “Sekretare”, sipas shënimeve në Librezën e Punës. Nga aplikantja nuk është paraqitur dokument provues për sa i përket regjistrimit si asistente noter, sikurse kërkohej nga ligji i kohës, “Për noterinë” i ndryshuar.
Nga riverifikimi i dokumentacionit të znj. B.H nga ana e Shkollës së Magjistraturës, rezulton që në librezën e punës aplikantja ka të evidentuar eksperiencën e punës si sekretare pranë dy zyrave noterie, për një periudhë prej 39 muajsh, 3 vjet e 3 muaj.
Ndërkohë, nga vërtetimet dhe rekomandimet që ka marrë nga zyrat e noterisë ku ka punuar, thuhet se ka formuluar akte noteriale dhe të tjera të ngjashme. Kjo kandidate ka marrë pjesë në konkurset e viteve 19-20 dhe 2020-2021.
Për sa më sipër, Shkolla e Magjistraturës vlerëson se konkurrentja përfshihet në listën e kandidatëve për të marrë pjesë në provimin e pranimit për vitin akademik 2021-2022.
 
Për aplikanten znj. J.B
 
KLGJ-ja është shprehur për aplikanten znj. J.B që nuk përmbush kriterin e përvojës së nevojshme profesionale pas përfundimit të studimeve universitare. KLGJ-ja në vlerësimin e saj nuk njeh përvojën 1 vit e 9 muaj pas përfundimit të masterit shkencor të aplikantes në zyrë noterie, sikurse është shënuar në librezë “Sekretare” dhe shprehet se nga dokumentacioni i administruar, nuk rezulton që midis znj.J B dhe noteres A.Gj të jetë lidhur një kontratë e kësaj natyre dhe as të jenë përmbushur detyrimet për deklarimin dhe regjistrimin e saj pranë Dhomës Kombëtare të Noterisë dhe Ministrisë së Drejtësisë.
Ndërkohë, nga riverifikimi i dosjes së aplikantes, rezulton se ka punuar për 21 muaj, 1 vit e 9 muaj pas përfundimit të masterit në zyrë noterie. Gjithashtu, znj. J.B, referuar dokumentacionit të dorëzuar, rezulton se ka kontratë pune me noteren, znj. A.Gj, si dhe kjo kontratë rezulton e regjistruar në Ministrinë e Drejtësisë. Në librezë e ka të shkruar sekretare, ndërkohë nga vërtetimi që ka marrë nga noterja, znj. A.Gj, përshkrimi i punës dhe emërtimi i pozicionit të saj të punës është Asistent Notere.
Ka përvojë pune 1 (një) vit si specialiste pranë Autoritetit Kombëtar për Sigurinë dhe Energjinë në Miniera.
Ka përvojë pune 1 (një) vit e në vazhdim te Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, si Kryetare e Degës Territoriale të Turizmit.
Në total aplikantja ka 3 vjet e 9 muaj përvojë pune.
Për sa më sipër, Shkolla e Magjistraturës vlerëson se konkurrentja përmbush kriteret ligjore për të marrë pjesë në provimin e pranimit për vitin akademik 2021-2022.
 
Për aplikanten znj. A.T
 
KLGJ-ja është shprehur për aplikanten znj. A.T që nuk përmbush kriterin e përvojës së nevojshme profesionale pas përfundimit të studimeve universitare. Në vlerësimin e KLGJ-së për përvojën e punës së znj. A.T është llogaritur përvoja e punës 2 vjet e 2 muaj, ndërkohë nuk është marrë në konsideratë vërtetimi nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë, që vërteton kryerjen e 1 (një) viti stazh profesional si asistent avokate.
Shkolla e Magjistraturës ka njohur si eksperiencë pune edhe praktikën 1-vjeçare si asistent avokate, konform nenit 20, pika 3 të ligjit “Për profesionin e Avokatit në Republikën e Shqipërisë” në të cilin parashikohet se: “Çdo avokat ose studio ligjore, që plotëson kushtet e pikës 2, të këtij neni, ka të drejtë të pranojë një ose më shumë kandidatë për avokatë. Kandidatët për avokatë lidhin marrëveshje me avokatin për kryerjen e stazhin 1-vjeçar në formë intershipi. Kandidatët për avokat gjatë periudhës së kryerjes së stazhit nuk përfitojnë pagesë. Avokati ose studioja e avokatisë, pranë të cilës kryhet stazhi, përjashtohen nga detyrimi për pagimin e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore të kandidatit për avokat, gjatë periudhës 1-vjeçare të kryerjes së stazhit. Periudha e stazhit njihet si periudhë vjetërsie në punë.”
Në total, bashkë me 1 (një) vit stazh profesional aplikantja ka 3 vjet e 3 muaj.
Për sa më sipër, Shkolla e Magjistraturës vlerëson se konkurrentja përmbush kriteret ligjore për të marrë pjesë në provimin e pranimit për vitin akademik 2021-2022.
 
Për aplikantin z. L.M
 
KLGJ-ja është shprehur për aplikantin z. L.M që nuk përmbush kriterin e përvojës së nevojshme profesionale pas përfundimit të studimeve universitare. Në vlerësimin e KLGJ-së për përvojën e punës së z. L.M është llogaritur përvoja e punës 2 vjet e 8 muaj, ndërkohë nuk është marrë në konsideratë vërtetimi nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë, që vërteton kryerjen e 1 (një) viti stazh profesional si asistent avokat.
Shkolla e Magjistraturës ka njohur si eksperiencë pune edhe praktikën 1-vjeçare si asistent avokat, konform nenit 20, pika 3 të ligjit “Për profesionin e Avokatit në Republikën e Shqipërisë” në të cilin parashikohet se: “Çdo avokat ose studio ligjore, që plotëson kushtet e pikës 2, të këtij neni, ka të drejtë të pranojë një ose më shumë kandidatë për avokatë. Kandidatët për avokat lidhin marrëveshje me avokatin për kryerjen e stazhin 1-vjeçar në formë intershipi. Kandidatët për avokat gjatë periudhës së kryerjes së stazhit nuk përfitojnë pagesë. Avokati ose studioja e avokatisë, pranë të cilës kryhet stazhi, përjashtohen nga detyrimi për pagimin e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore të kandidatit për avokat, gjatë periudhës 1-vjeçare të kryerjes së stazhit. Periudha e stazhit njihet si periudhë vjetërsie në punë.”
Në total, bashkë me 1 vit stazh profesional aplikanti ka 3 vjet e 8 muaj.
Për sa më sipër, Shkolla e Magjistraturës vlerëson se konkurrenti përmbush kriteret ligjore për të marrë pjesë në provimin e pranimit për vitin akademik 2021-2022.
 
Për aplikanten znj. L.V
 
Për aplikanten L.V, KLGJ-ja ka evidentuar një gabim material në përllogaritjen e mesatares së përgjithshme. Pasaktësia në përllogaritjen e mesatares së përgjithshme për aplikanten mund të ketë ardhur nga një gabim që konstatohet në dokumentin “Vërtetim Notash”, nr. 2775, prot. 14.10.2011, ku në lidhje me numrin e lëndëve të kategorisë B-Disiplina të formimit karakterizues të programit të I-rë të detyrueshëm për të gjithë, ka një kapërcim nga numri rendor “10” në numrin rendor “13”, ndërsa në fund rezultojnë “31” lëndë totale, ndërkohë që në realitet lëndët janë 29.
Pas riverifikimit, Shkolla e Magjistraturës përllogariti mesataren sipas rekomandimeve të KLGJ-së, ku në përfundim rezultoi se aplikantja ka mesatare të përgjithshme 8.34.
Për sa më sipër, Shkolla e Magjistraturës vlerëson se konkurrentja përmbush kriteret ligjore për të marrë pjesë në provimin e pranimit për vitin akademik 2021-2022.
 
Për aplikanten znj. G.Sh
 
Për aplikanten G.Sh, KLGJ-ja është shprehur se Shkolla e Magjistraturës ka bërë një gabim në përllogaritjen e mesatares së lëndëve kryesore. Nga riverifikimi dhe rillogaritja e mesatares së lëndëve kryesore të aplikantes G.Sh rezulton se nuk ka asnjë gabim në përllogaritje dhe mesatarja e lëndëve kryesore është 7.88.
Për sa më sipër, Shkolla e Magjistraturës vlerëson se konkurrentja nuk përmbush kriteret ligjore të parashikuara në nenin 10, pika 4, germa “d”, të Rregullores së Brendshme të Shkollës së Magjistraturës për të marrë pjesë në provimin e pranimit për vitin akademik 2021-2022.
 
Për aplikanten znj. I.K
 
Për aplikanten znj. I.K, KLGJ-ja sugjeron që përvoja profesionale e aplikantes të rivlerësohet, sipas përcaktimeve të nenit 28, pika 1, shkronja “ç”, të ligjit “Për Statusin”, i cili kërkon si kriter të paktën 3 vjet përvojë profesionale aktive me kohë të plotë. Për këtë, duke filluar nga mbarimi i Bachelor-it, sugjerojmë që periudha e punës së aplikantes të njihet si përvojë pune profesionale, mbi arsyetimin se nuk mund të trajtohen në mënyrë të pabarabartë kandidatët që e kryejnë të njëjtën punë pas përfundimit të Masterit Shkencor, me ata që e kanë kryer atë që pas mbarimit të Bachelor-it dhe Masterit Profesional, si në rastin konkret, në kushtet kur ligji nuk e ndalon punësimin. Gjithsesi, konsiderimi i këtij sugjerimi, nuk ndikon në përfundimin e arritur në vlerësimin paraprak, pasi aplikantja nuk përmbush edhe një nga kriteret e tjera, që është ai i mesatares së përgjithshme, 7.65, si dhe mesatares së grupit të lëndëve kryesore, 7.54.
Shkolla e Magjistraturës, konform nenit 28, germa “ç” të ligjit nr. 96/2016, “Për statusin e prokurorëve dhe gjyqtarëve”, si dhe nenit 10, pika 4, germa “f”, të Rregullores së Brendshme mban qëndrimin se të gjithë konkurrentët që marrin pjesë në provimin e pranimit, duhet të kenë detyrimisht 3 vite eksperiencë pune me kohë të plotë si jurist, vetëm pas përfundimit të ciklit të plotë të studimeve universitare. Ky qëndrim mbahet edhe në ligjin e porsa miratuar nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, më konkretisht ligji nr. 50/2021, “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.96/2016, “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.  Në nenin 7, pika 2, në të cilin pasqyrohen shtesat dhe ndryshimet e nenit 28, germa “ç”, ku konkretisht parashikohet se: “2. Në shkronjën “ç”, pas togfjalëshit “me kohë të plotë” shtohet togfjalëshi “pas përfundimit të studimeve të integruara në drejtësi, sipas shkronjës “c” të këtij neni”.
 
Për aplikantin z. A.M
 
Për aplikantin z. A.M sugjerohet nga KLGJ-ja dhe KLP-ja rivlerësimi i kandidimit të tij me arsyetimin se ligji lejon konkurrimin në SHM të çdo personi që plotëson kriteret e përcaktuara prej tij, duke mos penguar kështu kandidimin për në formimin fillestar edhe të personave që janë familjarë apo të lidhur me stafin e brendshëm të SHM-së. Duket qartë se rregullimi në nenin 10, pika 5, të Rregullores së Brendshme të SHM-së, është bërë në funksion të parandalimit të “Konfliktit të interesit”, por se ky rregull, pavarësisht parandalimit të “konfliktit të interesit”, në fakt i mohon individëve të drejta kushtetuese dhe ligjore. Nga ana tjetër, referuar ligjit nr. 9367, datë 7.4.2005, “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”, i ndryshuar, është “zyrtari”, sikundër edhe çdo epror, ata që kanë për detyrë parandalimin dhe zgjidhjen e çdo gjendje konflikti interesi, në mënyrën më të frytshme të mundshme.
Shkolla e Magjistraturës ka çmuar këtë lloj konflikti interesi. Trajtimi edhe në këto lloj marrëdhëniesh ka qenë prioritet i Shkollës së Magjistraturës.
 
Për aplikantët Znj. E.K, Znj. E.R, Z. O.V, Znj. A.D, Znj. K.K dhe Z. K.H
 
Për aplikantët znj. E.K, znj. E.R, z. O.V, znj. A.D, znj. K.K dhe z. K.H, për të cilët është vlerësuar se nuk përmbushin kriterin e përvojës së nevojshme profesionale pas përfundimit të ciklit të plotë të studimeve universitare, KLGJ-ja sugjeron që nëse punësimi i aplikantëve në fjalë ka qenë aktiv me kohë të plotë në sistemin gjyqësor ose të prokurorisë, në administratën publike, profesionet e lira ligjore, mësimdhënie në fakultetet e drejtësisë, ose në çdo pozicion tjetër të barasvlershëm me to, në sektorin privat ose organizatat ndërkombëtare, duke filluar që pas mbarimit të Bachelor-it, sugjerohet që kjo periudhë të njihet si përvojë pune profesionale edhe nëse aplikanti e ka kryer më pas Masterin Shkencor. Në vlerësim të Këshillit, nuk duhet të ketë trajtim të pabarabartë mes kandidatëve që e kryejnë të njëjtën punë pas përfundimit të Masterit Shkencor, me ata që e kanë kryer atë që pas mbarimit të Bachelor-it, në kushtet kur ligji nuk e ndalon punësimin.
Shkolla e Magjistraturës konform nenit 28, germa “ç” të ligjit nr. 96/2016, “Për statusin e prokurorëve dhe gjyqtarëve”, si dhe nenit 10, pika 4, germa “f”, të Rregullores së Brendshme, mban qëndrimin se të gjithë konkurrentët që marrin pjesë në provimin e pranimit, duhet të kenë detyrimisht 3 vite eksperiencë pune me kohë të plotë si jurist, vetëm pas përfundimit të ciklit të plotë të studimeve universitare. Ky qëndrim mbahet edhe në ligjin e porsa miratuar nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, më konkretisht ligji nr. 50/2021, “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.96/2016, “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”. Në nenin 7, pika 2, në të cilin pasqyrohen shtesat dhe ndryshimet e nenit 28, germa “ç”, ku konkretisht parashikohet se: “2. Në shkronjën “ç”, pas togfjalëshit “me kohë të plotë” shtohet togfjalëshi “pas përfundimit të studimeve të integruara në drejtësi, sipas shkronjës “c” të këtij neni.”
 
Për sa më sipër, Shkolla e Magjistraturës vlerëson se konkurrentët e lartpërmendur nuk përmbushin kriteret ligjore për të marrë pjesë në provimin e pranimit për vitin akademik 2021-2022.
 
 
2.     MBI REKOMANDET E KLP-SË
 
Për aplikanten znj. A.D
 
Për aplikanten, znj. A.D, për të cilën është vlerësuar se nuk përmbush kriterin e përvojës së nevojshme profesionale pas përfundimit të ciklit të plotë të studimeve universitare, KLP-ja ka kërkuar rivlerësimin e këtij kriteri duke njohur edhe përvojën e punës pas përfundimit të Bachelor-it, duke qenë siç shprehet KLP-ja në kushtet e nevojës aktuale për rritjen e cilësisë së magjistratëve. KLP vlerëson se aplikimi i këtij kriteri përjashtues, nuk i shërben këtij qëllimi, përkundrazi mund të çojë në heqjen e mundësisë së kandidimit në provimin e pranimit të një kandidati, i cili i plotëson të gjitha kriteret e tjera, që garantojnë respektimin e standardit të cilësisë, siç është kriteri i notës mesatare, si element i domosdoshëm për pranimin në provimin e Formimit Fillestar në Shkollën e Magjistraturës.
Shkolla e Magjistraturës konform nenit 28, germa “ç” të ligjit nr. 96/2016, “Për statusin e prokurorëve dhe gjyqtarëve”, si dhe nenit 10, pika 4, germa “f”, të Rregullores së Brendshme, mban qëndrimin se të gjithë konkurrentët që marrin pjesë në provimin e pranimit, duhet të kenë detyrimisht 3 vite eksperiencë pune me kohë të plotë si jurist, vetëm pas përfundimit të ciklit të plotë të studimeve universitare. Ky qëndrim mbahet edhe në ligjin e porsa miratuar nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, më konkretisht ligji nr. 50/2021, “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.96/2016, “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar. Në nenin 7, pika 2, në të cilin pasqyrohen shtesat dhe ndryshimet e nenit 28, germa “ç”, ku konkretisht parashikohet se: “2. Në shkronjën “ç”, pas togfjalëshit “me kohë të plotë” shtohet togfjalëshi “pas përfundimit të studimeve të integruara në drejtësi, sipas shkronjës “c” të këtij neni.”
Për sa më sipër, Shkolla e Magjistraturës vlerëson se konkurrentja nuk përmbush kriteret ligjore për të marrë pjesë në provimin e pranimit për vitin akademik 2021-2022.
 
Rekomandimet e bëra nga Këshillat për një prej kandidatëve të skualifikuar u pranuan si të bazuara nga ana e Shkollës dhe kjo konkurrente iu shtua listës së kandidatëve që plotësojnë kriteret ligjore për në provimin e pranimit. Bazuar në pikën 4 të nenit 30 të ligjit nr. 96/2016, “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, Shkolla e Magjistraturës shpall sot më datë 15.4.2021, raportin e vlerësimit përfundimtar, duke marrë në konsideratë komentet dhe sugjerimet e bëra nga Këshillat.
 
 
 
                                                                                                            DREJTOR
                                                                                                       ARBEN RAKIPI
 

 


[1] Afati u shty për në datën 1 mars, sepse data e fundit e regjistrimit, 28 shkurt, përkonte ditë pushimi.



Njoftime

Mbylle