Logo
Banner Banner

Formimi Fillestar

Banner
Formimi fillestar i kandidatëve për magjistratë përfshin një periudhë tre vjecare që përbëhet nga:...

Formimi i Vazhduar

Banner
Në kuadër të përmbushjes së misionit të saj Shkolla e Magjistraturës ofron formimin e ...

Aktiviteti i fundit

Banner
Aktiviteti i fundit i Shkollës së Magjistraturës - THEMIS Competition 2021

Njoftim per shpalljen e vendeve vakante per kandidate per keshilltare dhe ndihmes ligjor 2021-2022

          SHKOLLA E MAGJISTRATURËS
 
NJOFTIM PËR SHPALLJEN E VENDEVE VAKANTE PËR KANDIDATË PËR KËSHILLTARË DHE NDIHMËS LIGJORË
 
Njoftohen të gjithë të interesuarit, që dëshirojnë të konkurrojnë në Shkollën e Magjistraturës, se:
Në zbatim të ligjit nr. 115/2016, “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, ligjit nr. 96/2016, “Për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, ligjit nr. 98/2016, “Për organet e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”, Rregullores së Brendshme të Shkollës së Magjistraturës, do të fillojnë regjistrimet për provimin e pranimit për vitin akademik 2021-2022 për këshilltarë dhe ndihmës ligjorë.
Numri i vendeve vakante për pranimin në Programin e Formimit Fillestar për vitin akademik 2021-2022, do të jetë 20 kandidatë, prej të cilëve 4 vende për kandidatët për këshilltarë ligjorë dhe 16 vende për kandidatët për ndihmës ligjorë.
Në rast se, pas përfundimit të procedurës së aplikimeve për pranimin në Programin e Formimit Fillestar, nuk ka kërkesa që të plotësojnë numrin e planifikuar të kandidatëve për këshilltarë dhe ndihmës ligjorë, kuota prej 20 kandidatësh, do t’i shtohet kandidatëve për magjistratë, profili gjyqtar.
Regjistrimi i kandidatëve për magjistratë do të bëhet në sekretarinë shkencore të Programit të Formimit Fillestar pranë Shkollës së Magjistraturës në periudhën 1 shkurt - 28 shkurt 2021, nga ora 9.00 – 14.00 (Godina e re, “Poli i Drejtësisë”, rruga “Ana Komnena”, Tiranë).
Kandidati për këshilltar dhe ndihmës ligjor që regjistrohet në provimin e pranimit në Shkollën e Magjistraturës duhet të plotësojë këto kritere të përgjithshme:
1.     të jetë shtetas shqiptar;
2.     të ketë zotësi të plotë për të vepruar;
3.     të zotërojë gjuhën shqipe, të shkruar dhe të folur;
4.     të jetë në kushte shëndetësore që e lejojnë të kryejë detyrën përkatëse;
5.     të mos jetë i dënuar me vendim të formës së prerë për kryerjen e një krimi apo për kryerjen e një kundërvajtjeje penale me dashje;
6.     të mos jetë larguar nga detyra për shkaqe disiplinore, si dhe të mos ketë masë disiplinore në fuqi;
7.     të mos ketë qenë anëtar, bashkëpunëtor ose i favorizuar nga Sigurimi i Shtetit përpara vitit 1990;
8.     të mos ketë qenë bashkëpunëtor, informator, ose agjent i shërbimeve sekrete;
9.     të mos jetë anëtar i partive politike në kohën e kandidimit.
10. të ketë përfunduar ciklin e dytë të studimeve universitare për drejtësi, me diplomë “Master i shkencave”, ose të barasvlershëm me të, sipas përcaktimeve të legjislacionit të arsimit të lartë, referuar nenit 124 të ligjit nr. 80/2015, “Për arsimin e lartë”;
11. të ketë notë mesatare të përgjithshme mbi 7 (shtatë), si dhe notë mesatare mbi 7 (shtatë) për grupin e lëndëve kryesore, ku përfshihen: e drejta civile dhe e detyrimeve, e drejta penale,    (pjesa e përgjithshme dhe pjesa e posaçme), procedura civile, procedura penale, e drejta administrative dhe e drejta kushtetuese. Për të diplomuarit “Juristë”, në programe në gjuhë të huaj, parashikohet një koeficient vështirësie i barabartë me 1.2, i cili do të ponterojë mesataren e tyre faktike.
 
Kritere të veçanta për pozicionin e Ndihmësit Ligjor në gjykatat e apelit janë:
1.     Të ketë përvojë profesionale jo më pak se pesë vjet, duke përfshirë së paku tre vjet përvojë profesionale që lidhet me gjykatën.
Kritere të veçanta për pozicionin e Këshilltarit Ligjor jomagjistrat janë:
1.     përvojë profesionale jo më pak se 10 vjet si nëpunës i lartë në sistemin gjyqësor ose të prokurorisë, në administratën publike, profesionet e lira ligjore, mësimdhënie në fakultetet e drejtësisë, ose në çdo pozicion tjetër të barasvlershëm me to, në sektorin privat ose organizatat ndërkombëtare;
2.     njohuri në jurisprudencën e gjykatave vendase dhe atyre ndërkombëtare;
3.     njohuri shumë të mira të paktën të një gjuhe të vendeve të Bashkimit Europian;
4.     aftësi të shkrimit dhe arsyetimit ligjor;
5.     të jetë autor i artikujve dhe botimeve shkencore në fushën e jurisprudencës.
Në dosjen personale për regjistrim, kandidati për këshilltar dhe ndihmës ligjor duhet të paraqesë dokumentet e mëposhtme, ose kopje të tyre të noterizuara:
  1. kërkesën për aplikim, ku përzgjedh profilin si këshilltar e ndihmës ligjor. Kërkesa plotësohet në formularin unik që shpërndahet nga Shkolla e Magjistraturës;
  2. deklaratën ku të garantojë vërtetësinë e dokumentacionit që paraqet;
  3. diplomat universitare dhe pasuniversitare për studimet që ka ndjekur, si dhe vërtetimin e notave;
  4. jetëshkrimin;
  5. kartën e identitetit;
  6. vetëdeklarimin për gjendjen gjyqësore;
  7. raportin mjeko-ligjor për aftësimin e tij të përgjithshëm dhe të specializuar në kuadër të kryerjes së detyrës si këshilltar apo ndihmës ligjor në sistemin e drejtësisë;
  8. dëshmi, vërtetime nga punëdhënësi/t dhe nga organet e sigurimeve shoqërore, që vërteton përvojën/përvojat e punës;
  9. dëshmi, vërtetime nga punëdhënësi/t, që vërtetojnë se nuk është larguar nga detyra për shkaqe disiplinore, si dhe nga punëdhënësi i fundit, që vërteton se nuk ka masë disiplinore në fuqi;
  10. deklaratë që nuk është anëtar i partive politike në kohën e kandidimit;
  11. deklaratë që nuk ka qenë anëtar, bashkëpunëtor ose i favorizuar nga Sigurimi i Shtetit përpara vitit 1990; si dhe nuk ka qenë bashkëpunëtor, informator, ose agjent i shërbimeve sekrete;
  12. dëshmi, diplomë, që vërteton zotërimin e një gjuhe të vendeve të Bashkimit Europian (vetëm kandidati për këshilltar ligjor);
13. deri në tre dokumente, që vërtetojnë pasjen e aftësi të shkrimit dhe arsyetimit ligjor, si dhe qenien autor të artikujve ose botimeve shkencore në fushën e jurisprudencës (vetëm kandidati për këshilltar ligjor).
 
Konkurrenti, i cili do të aplikojë për kandidat për këshilltar dhe ndihmës ligjor duhet të paraqesë dokumentet e mësipërme, ose kopje të tyre të noterizuara në 2 (dy) kopje.
Kandidatët për këshilltarë dhe ndihmës ligjorë që plotësojnë kriteret, paguajnë tarifën e regjistrimit në vlerën 10.000 lekë.
Ju bëjmë me dije se pagesa e regjistrimit është e pakthyeshme, në rast se nuk regjistroheni për arsye të mosplotësimit të kushteve të mësipërme. 
Brenda datës 1 mars 2021, Shkolla e Magjistraturës do të depozitojë pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor dokumentacionin me kërkesat e plotësuara nga ana juaj.
Provimi i pranimit do të organizohet me shkrim në dy faza.
Data e zhvillimit të provimit të pranimit do të shpallet në një moment të dytë, në varësi të rregullave që diktohen nga situata e pandemisë COVID-19.
Konkurrentët që kanë arritur jo më pak se 50 për qind të pikëve totale, kanë të drejtë të përzgjedhin profilin për kandidatë për këshilltarë dhe ndihmës ligjorë, brenda vendeve vakante të shpallura.
Kandidatët fitues për këshilltarë / ndihmës ligjorë të Testit Profesional, të renditur në 20 vendet e para, duhet të kalojnë në një testim të lidhur me shëndetin mendor dhe psikologjik.
Ky testim do të realizohet në mjediset e Shkollës së Magjistraturës përgjatë disa ditëve, të cilat do t’u bëhen me dije kandidatëve fitues pas shpalljes së rezultateve të fazës së dytë.
 
Në rast se në renditjen përfundimtare të testit profesional, ka konkurrentë mbi numrin 60, që kanë aplikuar edhe për profilin gjyqtar dhe kanë arritur të paktën 60 për qind të pikëve totale të provimit të pranimit, kuotat e planifikuara për këshilltarë dhe ndihmës ligjorë mund t’i shtohen numrit të përgjithshëm prej 35 vendesh të kandidatëve për magjistratë, profili gjyqtar.
Në rast se nga konkurrentët nuk arrihen pikët që nevojiten për kandidatë për magjistrat, vendet e mbetura i shtohen numrit të përgjithshëm të kandidatëve që kanë aplikuar për këshilltarë dhe ndihmës ligjorë, të cilët plotësojnë të paktën 50 për qind të pikëve të testit profesional.
Kandidatët, në të gjitha fazat e organizimit të provimit të pranimit, duhet të kenë me vete dokumentin e identifikimit.
Programi i provimit të pranimit (ku do të gjeni edhe listën e lëndëve që do të shërbejnë si bazë për testimin) është publikuar në faqen e Shkollës www.magjistratura.edu.al. Programi i provimit i përgjigjet të dyja fazave të provimit: testi i inteligjencës, gjuhë shqipe, psikologji dhe komunikim, legjislacioni i BE-së, marrëdhënie ndërkombëtare, e drejtë e krahasuar (parimet e përgjithshme), histori, etikë profesionale, e drejtë kushtetuese, e drejtë civile dhe e detyrimeve, procedurë civile, e drejtë penale, procedurë penale, e drejtë administrative, e drejtë familjare, e drejtë tregtare, e drejtë e punës.
Për më tepër informacion vizitoni faqen tonë të internetit: www.magjistratura.edu.al ose kontaktoni me Shkollën e Magjistraturës në adresën e e-mail-it info@magjistratura.edu.al.
 
Ju urojmë suksese! 
 



Njoftime

Mbylle