Logo
Banner Banner

Formimi Fillestar

Banner
Formimi fillestar i kandidatëve për magjistratë përfshin një periudhë tre vjecare që përbëhet nga:...

Formimi i Vazhduar

Banner
Në kuadër të përmbushjes së misionit të saj Shkolla e Magjistraturës ofron formimin e ...

Aktiviteti i fundit

Banner
Aktiviteti i fundit i Shkollës së Magjistraturës - THEMIS Competition 2021

Rregullorja e provimit

Provimi i pranimit në Shkollën e Magjistraturës do të organizohet në dy faza dhe ndërmjet tyre do të ketë një testim për shëndetin mendor dhe psikologjik.
  
I.       Faza e parë e provimit të pranimit
 
Rregulli I
Faza e parë do të jetë fazë seleksionuese. Mënyra e testimit seleksionues do të jetë me shkrim dhe me një procedurë të hapur publike të shoqëruar me vlerësimin elektronik të përgjigjeve në prani të kandidatëve.
Administratori i provimit është Drejtori i Shkollës së Magjistraturës.
 
Aplikimi:
Kandidati duhet të ketë me vete vetëm dokumentin e identifikimit.
Materialet për zhvillimin e testimit do të jepen nga Shkolla e Magjistraturës.
Pajisjet e skanimit dhe të vlerësimit elektronik, si dhe stafi teknik për përdorimin e tyre drejtohen nga Administratori i provimit.
Fletët e përgjigjes së testimit do të jenë të gjitha të vulosura në pjesën e pasme.
Identiteti shënohet në përmbajtjen e përgjigjes, sipas teknikës së shpjeguar paraprakisht nga stafi që bën vlerësimin elektronik. Emri u lexohet pjesëmarrësve në mënyrë publike para skanimit të fletës së përgjigjes së çdo pjesëmarrësi.
Kohëzgjatja e testimit: 2 orë e 30 minuta.
Pas dorëzimit të fletëve të testimit, do të bëhet skanimi i çdo flete dhe vlerësimi elektronik (scan tron) në prani të pjesëmarrësve.
 
Rregulli II
Gjatë provimit, e gjithë salla do të jetë nën mbikëqyrjen e vëzhguesve të caktuar nga administratori i provimit.
Studentët nuk duhet të flasin ose të japin e marrin asistencë nga njëri-tjetri apo nga të tjerë gjatë provimit, për asnjë lloj arsye.
 
Aplikimi:
Në qoftë se ndodh një gjë e tillë, atëherë administratori i provimit vendos menjëherë përjashtimin e studentëve nga salla e provimit, si dhe deklarimin e provimit të tyre të pavlefshëm.
Në qoftë së një student merr ndihmë nga dikush, të dy palët do të skualifikohen.
Monitoruesit do të jenë persona jo të përfshirë në sistemin gjyqësor shqiptar dhe jo me profesion juristë apo pedagogë të Shkollës së Magjistraturës. Ata do të jenë përfaqësues shqiptarë dhe të huaj nga organizata me të cilat Shkolla e Magjistraturës ka pasur dhe ka marrëdhënie bashkëpunimi. Në qoftë se monitoruesit do të vënë re shkelje, sado të vogla të rregullave të provimit, ata do të njoftojnë administratorin e provimit, i cili vendos sipas rastit dhe natyrës së shkeljes.
 
Rregulli III
Modeli i tezës së provimit në fazën e parë do të jetë i organizuar në formë pyetjesh me alternativa, ku përgjigjet jepen në mënyrë skematike pa fjalë, sipas teknikës scan tron.
 
Aplikimi: 
Provimi do të zhvillohet në të njëjtën sallë dhe do të vlerësohet elektronikisht po aty, në prani të pjesëmarrësve.
Përzgjedhja e tezës së testimit, nga fondi i gjithë pyetjeve të përgatitura, do të bëhet nga vetë kandidatët para fillimit të testimit seleksionues dhe do të fotokopjohet në prani të tyre.
Fondi i pyetjeve do të përgatitet nga Shkolla e Magjistraturës me ndihmën e Institucioneve Ndërkombëtare dhe do të përbëhet të paktën nga 2000 pyetje në total për të gjitha fushat e testimit.
Teza do të jetë e njëjtë për të gjithë pjesëmarrësit.
Teza e provimit vlerësohet maksimalisht me 100 pyetje/100pikë. 
Teza do të jetë e strukturuar në 9 rubrika, 8 nga të cilat me nga 10 pyetje/1 pikë secila dhe gjuha shqipe që do të ketë 20 pyetje/1 pikë secila.  
Teza e fazës së parë do të përbëhet: 1) Test inteligjence (logjikë, gjeografi etj.); 2) Marrëdhënie ndërkombëtare – BE – Histori - E drejtë e krahasuar; 3) Gjuhë shqipe; 4) Psikologji – Komunikim; 5) Etikë e sjellje qytetare; 6) E drejtë kushtetuese - Të Drejtat e Njeriut – E drejtë administrative; 7) E drejtë familjare – E drejtë pune – E drejtë tregtare; 8) E drejtë civile – Procedurë civile; 9) E drejtë penale – Procedurë penale.
Pyetjet, gjatë fazës së parë do të testojnë njohuri të karakterit të përgjithshëm dhe profesional.
Në fazën e dytë do të kalojnë ata kandidatë të cilët kanë mbledhur jo më pak se 60 për qind të pikëve.
 
II.                Faza e dytë e provimit të pranimit
 
Rregulli I:
Në këtë fazë do të marrin pjesë vetëm kandidatët fitues të fazës së parë. Mënyra e korrigjimit të provimit do të jetë anonime.
Në konkurs, kandidati duhet të ketë me vete vetëm dokumentin e identifikimit. Materialet për zhvillimin e konkursit do të jepen nga Shkolla e Magjistraturës.
 
Aplikimi:
Fletët e përgjigjes së provimit do të jenë të gjitha të vulosura. Të gjithë kandidatëve do t’u shpërndahet një zarf i vogël, i cili brenda ka një letër në të cilën do të shkruhet emri i kandidatit që konkurron. Zarfi i vogël nuk duhet të mbyllet deri në momentin e dorëzimit të provimit. Mbyllja e tij do të bëhet në prani të administratorit të provimit, duke u verifikuar edhe njëherë identiteti i konkurruesit dhe do të vuloset nga personi përgjegjës i caktuar nga administratori i provimit.
Zarfi i madh do të mbyllet nga kandidati dhe duhet të ketë brenda 7 (shtatë) teza të Testit Profesional. Zarfi do të vuloset nga personi përgjegjës. Përmbajtja e çdo zarfi është në përgjegjësinë e kandidatit përkatës.
Tezat që mungojnë në zarf vlerësohen nga Komisioni me 0 pikë. Anëtari i Komisionit që konstaton i pari mungesën e tezës në zarf e bën këtë gjë publike, duke mbajtur një procesverbal të veçantë për këto mungesa, i cili nënshkruhet nga të gjithë anëtarët e komisionit.
Në fund të provimit, zarfi i vogël, së bashku me zarfin e madh, do të dorëzohen në një vend të caktuar.
Emri nuk do të shkruhet në asnjë nga fletët e provimit.
Të mos shkruhet mbi vulë.
Vendosen 2 vula mbi çdo zarf. Sipërfaqja e zënë nga vula duhet të jetë gjysma mbi fundin e kapakut të zarfit dhe gjysma mbi pjesën e poshtme të zarfit, që ndodhet menjëherë mbas kapakut të zarfit.
Të mos lihen hapësira boshe midis rreshtave dhe të mos përdoren mjete të tjera (fletë, stilolapsa), veç atyre të dhëna nga Shkolla. Konkurruesit nuk lejohen të kenë fytyrë të mbuluar, të mbajnë shalle, kapele, apo syze dielli gjatë procesit të provimit. Ndalohet përdorimi dhe mbajtja e telefonave celularë si dhe e pajisjeve të tjera.
Kohëzgjatja e provimit: 4 orë
Pasi përfundon provimi, do të bëhet përzgjedhja e zarfeve të provimit në prani të kandidatëve, pastaj do të bëhet sekretimi i tyre.
Pas dorëzimit të fletëve të provimit, organizatorët do të vendosin numrin, si në zarfin e vogël, ashtu dhe në zarfin e madh të çdo kandidati. Komisionit të provimit do t’i vihet në dispozicion vetëm zarfi i madh, me numrin përkatës, i cili përmban fletët e provimit.
Korrigjimi i provimit me shkrim do të bëhet në një sallë të mbyllur (mjedis zyrtar) brenda godinës së Shkollës së Magjistraturës. Gjithashtu, asnjë anëtar i komisionit të korrigjimit nuk lejohet që të marrë me vete fletët e provimit.
Për çdo kërkesë, kandidati duhet të kërkojë leje nga administratori i konkursit.
 
Rregulli II:
Gjatë provimit, e gjithë salla do të jetë nën mbikëqyrjen e vëzhguesve të caktuar nga administratori i provimit.
Studentët nuk duhet të flasin ose të japin e marrin asistencë nga njëri-tjetri apo nga të tjerë gjatë provimit, për asnjë lloj arsye.
 
Aplikimi:
Në qoftë se ndodh një gjë e tillë, atëherë administratori i provimit (Drejtori) vendos menjëherë përjashtimin e studentëve nga salla e provimit, si dhe deklarimin e provimit të tyre të pavlefshëm.
Në qoftë se një student merr ndihmë nga një tjetër, të dy palët do të skualifikohen në bazë të rregullit II.
Monitoruesit do të jenë persona jo të përshirë në sistemin gjyqësor shqiptar dhe jo me profesion juristë apo pedagogë të Shkollës së Magjistraturës. Ata do të jenë përfaqësues shqiptarë dhe të huaj nga organizata me të cilat Shkolla e Magjistraturës ka pasur dhe ka marrëdhënie bashkëpunimi. Në qoftë se monitoruesit do të vënë re shkelje, sado të vogla të rregullave të provimit, ata do t’i kërkojnë studentëve që të lënë sallën menjëherë, si dhe do të njoftojnë administratorin e provimit.
 
Rregulli III
Gjatë provimit, studentët nuk lejohen të shënojnë ose lënë emrin apo shenja sado të vogla në fletët e provimit, me të cilat nënkuptohen shprehje ose citime që e bëjnë fletën e provimit të identifikueshme si p.sh:.
a)      shkrimi i të gjithë provimit ose një pjese me germa kapitale;
b)      nënvizimi i fjalëve apo shprehjeve;
c)      përdorimi i emrave të personave pjesëmarrës;
d)      përdorimi i emrave të autorëve të teksteve;
e)      përdorimi i të dhënave identifikuese që lidhen me punën e kandidatit, familjen, shkollën që ka ndjekur etj.;
f)       futja e materialeve të tjera, veç fletëve me përgjigjet e provimit;
g)      përdorimi i përsëritur i së njëjtës shprehje që krijon mundësi identifikimi;
h)      çdo shenjë materiale apo intelektuale që sjell identifikimin e përgjigjes së konkurrentit nga konkurrentë të tjerë.
 
Në rast të një korrigjimi, fjala ose shprehja do të futet në kllapa, do t’i kalohet një vijë sipër, sipas këtij modeli: (gabim).
 
Aplikimi:
Në rast se konstatohen shenja të ndryshme në fletët e provimit, ato do të shpallen të pavlefshme dhe kandidati humb të drejtën për të konkurruar.
 
Rregulli IV
Në përfundim të provimit, të gjitha fletët do të vendosen në një kuti të vulosur. Gjithashtu, edhe zarfet e vegjël do të jenë të futura në një kuti të vulosur.
 
Aplikimi:
Kutia me fletët e provimit do të hapet vetëm në ditët e korrigjimit, në prezencë të komisionit të korrigjimit. Gjithashtu, zarfi i madh me zarfet me numrat korrespondues do të hapet në prani të komisionit të korrigjimit. Pasi të shpallen rezultatet në bazë të numrave të sekretimit, hapja e zarfeve të vegjël me emrat do të bëhet në datë ____________ ora______________ në prani të konkurruesve, në mjediset e Shkollës së Magjistraturës.
Nëse pas marrjes së rezultateve ka rezerva për rezultatin, kandidati ka të drejtë të verifikojë përgjigjet e veta. Fletët e provimit mund të shikohen nga kandidati, vetëm në sallën e vënë në dispozicion nga Shkolla, në prani të një personi të caktuar nga administratori dhe nuk lejohet fotokopjimi ose marrja e fletëve të provimit. Kur konstaton pasaktësi matematikore ose të ndonjë lloji tjetër me karakter procedural, kandidati paraqet vërejtjet me shkrim brenda 3 (tri) ditëve nga shpallja e rezultateve.
Nuk ka seancë ballafaqimi direkt me jurinë e vlerësimit.     
 
Rregulli V
Faza e dytë e provimit me shkrim, Testi Profesional, zhvillohet në një ditë për të dy profilet (gjyqtar dhe prokuror), i cili përmban pjesën teorike nga fushat e së drejtës të parashikuara në programin e provimit të pranimit dhe pjesën praktike me dy raste nga praktika gjyqësore.
 
Aplikimi:
Teza e provimit vlerësohet maksimalisht me 350 pikë.
Me 250 pikë vlerësohet pjesa teorike, të cilat ndahen: 50 pikë për pjesën teorike të së drejtës civile, të drejtës penale, procedurës civile dhe procedurës penale dhe me 50 pikë vlerësohet pjesa teorike e degëve të tjera të së drejtës, si: e drejtë kushtetuese dhe e drejtë administrative, e drejtë familjare, e drejtë pune, e drejtë tregtare, e drejtë e BE-së dhe të Drejtat e Njeriut.
Pjesa e rasteve praktike vlerësohet me 100 pikë, nga 50 pikë për secilin rast praktik.
 
Rregulli VI
Përgjigjja e çdo teze duhet të jepet me shkrim nga anëtari përkatës i Komisionit, e nënshkruar prej tij dhe i dorëzohet administratorit të provimit. Të bëhet publike në faqen e internetit një përshkrim i tezës dhe jo vetë teza, për të përjashtuar mundësinë e mospërdorimit të elementeve të saj në provimet e viteve të mëvonshme.
Komisioni vazhdon korrigjimin, kur është në panel të plotë e pa shkëputje. Në rast se numri i anëtarëve në sallën e korrigjimit është më pak se tre anëtarë, korrigjimi nuk vazhdon derisa të plotësohet numri.
Në përfundim të korrigjimit, çdo anëtar evidenton një numër përgjigjesh sa dyfishi i numrit të vendeve vakante për konkurruesit që kanë arritur rezultatet më të larta në pjesën e tij/saj. Pas kësaj, këto përgjigje do të korrigjohen me metodën e korrigjimit të kryqëzuar (cross evaluation), të paktën edhe nga një anëtar tjetër i komisionit. Kjo gjë bëhet për të shmangur gabimet e mundshme në vlerësim dhe mbledhjet e pikëve.
 
Aplikimi:
Çdo zarf me përgjigje do të ketë përkatësisht 7 (shtatë) pjesë që do të korrigjohen përkatësisht nga anëtarët e komisionit të caktuar nga Këshilli Drejtues i Shkollës.
Nëse anëtari i komisionit që hap i pari zarfin me përgjigjet, konstaton se në zarf ka mangësi në numrin e tezave të përgjigjeve, ai e bën menjëherë publike për Komisionin dhe Administratorët e provimit, sepse në fund të provimit do të mbahet një procesverbal për këto përgjigje që mungojnë fizikisht.
Zarfi me përgjigjet mbyllet prej tyre, prandaj risku i mungesës së përgjigjeve rëndon mbi konkurruesit.
Anëtarët e komisionit evidentojnë në çdo fletë përgjigje pikët, shënimet apo gabimet e kandidatit, me qëllim që, kur kandidatët të lexojnë përgjigjet e vlerësuara pas korrigjimit, të kenë të qartë se për cilën arsye kanë marrë rezultatin e vënë në fletë.
Çdo anëtar i komisionit me hapjen e zarfit, në rast se konstaton shenja të dukshme apo materiale shtesë që sipas rregullit III identifikojnë konkurruesin, njofton në çast anëtarët e tjerë të komisionit duke mbajtur një procesverbal për skualifikimin e konkurrentit dhe fleta me përgjigjet përkatëse nuk korrigjohet. Rezultati i këtij konkurrenti shënohet në procesverbalin përfundimtar zero pikë.
Në rast se një anëtar i komisionit konstaton shenja identifikuese pasi ka filluar procesi i korrigjimit, ai njofton në çast anëtarët e tjerë të komisionit dhe kërkon ndërprerjen e korrigjimit. Nëse i gjithë komisioni vlerëson se përgjigjet identifikohen me ato të konkurrentëve të tjerë, atëherë konkurrenti skualifikohet duke mbajtur një procesverbal për skualifikimin e tij dhe pikët e tij të nxjerra deri në atë çast hiqen/fshihen nga fleta me përgjigje. Rezultati i këtij konkurrenti shënohet në procesverbalin përfundimtar zero pikë.
Në çdo rast, procesverbali për skualifikimin përshkruan shenjën identifikuese të konstatuar, si dhe mendimin e anëtarëve të komisionit mbi të.
 
 
I. Testimi i shëndetit mendor dhe psikologjik si pjesë e provimit të pranimit në Programin e Formimit Fillestar
 
1. Kuptimi dhe natyra e testimit
 
Në kuptimin e ligjit nr. 115/2016, “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, testimi psikologjik dhe i shëndetit mendor synon evidentimin e aftësive potenciale të kandidatëve konkurrues për gjyqtarë dhe prokurorë të ardhshëm, nisur edhe nga modelet e këtij lloj testimi, të zbatuara në procesin e rekrutimit nga shkollat perëndimore simotra të Magjistraturës, në Francë, Holandë, Spanjë, Portugali, Austri, Kroaci etj.
Të dhënat e këtij testimi do të shërbejnë për një vlerësim kompleks të kandidatëve, i cili do të çojë në përshtatshmërinë e tyre me profesionin dhe jo mbi gjendjen e tyre shëndetësore. Ky vlerësim do të mbështetet në të dhënat për funksionimin e kandidatit në grup, në të dhënat për reagimin e tij para situatave profesionale jetësore dhe në të dhënat e intervistimit individual.
Ky testim mbështetet mbi aftësitë psikologjike të konkurruesve, mbi vlerësimin e përshtatshmërisë së tyre me profesionin dhe jo mbi gjendjen e tyre shëndetësore, si një vlerësim kompleks të funksionimit të kandidatit në grup, individual, para komisionit dhe në situatat jetësore të profesionit.
Për gjendjen shëndetësore, konkurruesit do të vijojnë të pajisen me një raport mjekësor aftësimi, si pjesë e dokumentacionit që duhet të dorëzohet prej tyre para se të regjistrohen si konkurrues në Shkollë dhe nuk ka lidhje me testimin psikologjik.
Testimi është pjesë e një procesi vlerësimi pedagogjik me natyrë të përkohshme, që i korrespondon vetëm vitit akademik në të cilin realizohet konkurrimi i kandidatëve.
Testimi i vlerësimit psikologjik dhe të shëndetit mendor, sipas nenit 266, pika 7 të ligjit nr. 115/2016, mund të zbatohet edhe gjatë viteve të shkollimit, por domosdoshmërisht përpara vlerësimit përfundimtar dhe diplomimit të kandidatëve.
Testimi do të ketë natyrë kualifikuese apo skualifikuese dhe duhet të konkludojë nëse konkurruesit janë të aftë për ndjekur Programin e Formimit Fillestar. Ky vlerësim do të marrë në konsideratë krahasimin e ngarkesës emocionale e psikologjike, që do të manifestojnë konkurruesit përsa i përket komunikimit, sjelljes dhe etikës në kohën dhe mënyrën e caktuar sipas procedurës së kësaj rregulloreje lidhur me treguesit e listuar në pikën 3 të saj, me ngarkesën emocionale, psikologjike dhe mendore që duhet të kenë realisht personat që ushtrojnë këto profesione.
Rezultati i testimit psikologjik "i aftë" për të kryer profesionin e gjyqtarit dhe prokurorit, (në kuptimin e ligjit nr. 115/2016, “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë” dhe kësaj Rregulloreje), do të barazohet teknikisht me vlerësimin "I përshtatshëm" duke u konsideruar kështu, pjesë e një vlerësimi me natyrë pedagogjike, të vlefshëm vetëm për vitin e konkurrimit në fjalë dhe pa efekte në të ardhmen. Kjo do të thotë se, kalimi apo moskalimi i testimit psikologjik nuk ka vlerë për konkurrimet e tjera në vitet e ardhshme. Nëse kandidati konkurrues do të rihyjë në konkurrim në vitin akademik pasardhës, rezultati i marrë në një vit tjetër paraardhës konkurrimi nuk ka vlerë, pavarësisht nëse është i përshtatshëm apo i papërshtatshëm.
 
2. Komisioni i testimit dhe detyrat e tij
 
Këshilli Drejtues i Shkollës së Magjistraturës, në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë, cakton përfaqësuesit e komisionit me këtë përbërje:
·         dy mjekë psikiatër;
·         dy psikologë.
Një pedagog i brendshëm i Shkollës së Magjistraturës do të jetë vëzhgues në mbledhjet e këtij komisioni gjatë gjithë vlerësimit.
 
2.1. Komisioni dhe mënyra e përzgjedhjes së tij
 
Komisioni përbëhet nga pesë anëtarë, që caktohen me vendim të Këshillit Drejtues të Shkollës si më poshtë:
·         Anëtarët me profesion "Psikolog" dhe "Psikiatër" përzgjidhen me vendim të Këshillit Drejtues të Shkollës, me propozim të Drejtorit të Shkollës, nga lista e profesionistëve me grada dhe tituj shkencorë, eksperiencë ndërkombëtare në këtë fushë dhe me integritet profesional, që sjell Ministria e Shëndetësisë ose ministri të tjera përkatëse;
·         Mbledhja e Këshillit Drejtues për caktimin e Komisionit të vlerësimit psikologjik do të bëhet ditën që do të bëhet shpallja e rezultateve të testit me shkrim;
·         Pas përzgjedhjes, anëtari i komisionit nënshkruan një deklaratë për shmangien e konfliktit të interesit;
·         Anëtarët e zgjedhur të Komisionit do të marrin një informacion/trajnim njëditor lidhur me natyrën e punës në aspektin psikologjik dhe disa standarde etike e morale të domosdoshme për këtë kategori, me qëllim misionin dhe objektivat e drejtësisë;
·         Moduli i këtij trajnimi do të hartohet nga pedagogët e brendshëm të Shkollës së Magjistraturës, duke marrë mendimin e Këshillit Pedagogjik dhe miratimin e Këshillit Drejtues.
 
Pedagogu i Shkollës së Magjistraturës, në rolin e vëzhguesit, do të zgjidhet në mbledhjen e Këshillit Drejtues nga lista e pedagogëve të brendshëm të Shkollës, me propozim të Drejtorit të Shkollës.
 
Komisioni duhet të ushtrojë detyrën e vet në mënyrë profesionale, të barabartë, të pavarur dhe të paanshme.
 
Procedura e rekrutimit duhet të garantojë një përzgjedhje të kandidatëve që kanë perspektivën më të mirë të mundshme për sa i takon përshtatshmërisë, aftësimit dhe profesionalizmit të tyre të pritshëm.
 
3. Drejtimet dhe treguesit e testimit psikologjik me shkrim dhe me gojë do të lidhen me analizimin e qëndrimit dhe sjelljes së çdo konkurruesi që i nënshtrohet këtij testimi për të evidentuar në drejtimet e mëposhtme:
 
1.1 Lidhur me personalitetin:
·         modelin psikologjik që përfaqëson;
·         analizën e aspekteve të personalitetit që lidhen edhe me shëndetin mendor;
·         përballimin e emocioneve dhe të situatave konfliktuale;
·         sensin e drejtësisë dhe si e ndien identifikimin me misionin e drejtësisë;
·         paanshmërinë në gjykim dhe pavarësinë në vendimmarrje;
·         ndershmërinë dhe integritetin moral;
·         shkallën e demonstrimit të prioritetit të interesit publik apo interesit të grupit, kundrejt interesit personal;
·         të tjera të ngjashme me to.
 
1.2 Lidhur me aftësitë njohëse:
·         aftësitë logjike për të kombinuar analizën me sintezën dhe aftësinë për të arritur në përfundime;
·         aftësinë për të argumentuar pikëpamjet e tij/saj;
·         aftësinë për të negociuar dhe arritur ekuilibër;
·         aftësinë për trajtimin e konflikteve dhe marrjen e vendimeve;
·         aftësinë për të ngritur teza dhe hipoteza etj.;
·         mënyrën e të shprehurit lidhur me rregullat gjuhësore, ndërtimin e fjalisë, aftësinë për të përdorur një gjuhë të qartë dhe të kuptueshme;
·         të tjera të ngjashme me to.
 
1.3 Aftësitë në sjellje:
·         sjelljen dhe etikën në veprime, qëndrime, paraqitje, prezantim;
·         angazhimin dhe qëndrueshmërinë në pikëpamje;
·         ushtrimin e përgjegjshëm të kompetencave;
·         ndërgjegjësimin social dhe komunikimin social;
·         të tjera të ngjashme me to.
 
1.4 Aftësitë në komunikim:
·         aftësinë për të balancuar dëshirën për t'u evidentuar në grup, me respektimin për anëtarët e tjerë të grupit;
·         menaxhimin e kohës, koordinimin e punës në grup;
·         aftësinë për të bashkëpunuar dhe organizuar punën në grup;
·         menaxhimin dhe udhëheqjen e diskutimit dhe të vendimmarrjes;
·         të tjera të ngjashme me to.
 
2.      Procedura formale e vlerësimit
 
2.1 Vlerësimi psikologjik dhe mendor zhvillohet pas testimit me shkrim.
2.2 Vlerësimit i nënshtrohen të gjithë konkurruesit fitues të testit të përgjithshëm me shkrim.
2.3 Testimi psikologjik do të zhvillohet me shkrim dhe me gojë.
2.4 Testimi me shkrim do të jetë në formën e pyetjeve me alternativa ("multiple choices"), sipas një formati që do të përcaktohet nga një komision i ngritur nga Drejtori i Shkollës dhe që do të miratohet nga Këshilli Drejtues.
2.5 Testimi me shkrim do të zhvillohet para atij me gojë dhe nuk do të ketë natyrë skualifikuese.
2.6 Rezultati i testimit me shkrim do t'i bashkohet vlerësimit psikologjik me gojë, duke i krijuar mundësinë komisionit që të ketë një gjykim më të plotë dhe objektiv mbi personalitetin, sjelljen dhe komunikimin e kandidatit konkurrues.
2.7 Niveli maksimal i pikëve për vlerësimin me shkrim është 50 pikë, ndërsa niveli maksimal i pikëve për vlerësimin me gojë është 50 pikë.
2.8 Modeli i tezës së vlerësimit me gojë që do të miratohet nga Këshilli Drejtues i Shkollës përmban: a) shpjegimin e një situate jetësore dhe/ose profesionale, ku grupit të kandidatëve i kërkohet që ta shqyrtojë, analizojë, diskutojë dhe të arrijë në një konkluzion të përbashkët para komisionit; b) shpjegimin me gojë të një çështjeje përmes një interviste individuale.
2.9 Procesi i vlerësimit të diskutimeve në grup mund të filmohet nga Shkolla dhe produktet e filmuara janë në pronësi të saj. Ato mund të administrohen nga Komisioni për të parë sjelljen e kandidatit/ve para se të shpallë rezultatin.
2.10    Testimi me gojë do të zhvillohet: përmes vlerësimit të funksionimit në grup dhe vlerësimit të një interviste individuale.
1.10.1    Vlerësimi në grup do të realizohet përmes diskutimit në grupe me nga pesë konkurrues, të zgjedhur në mënyrë rastësore. Kandidatët do të identifikohen me numra, të cilët i zgjedhin në mënyrë rastësore nga numri total i konkurruesve. Zgjedhja e numrit do të bëhet para se të hyjnë në konkurrim. Në këtë mënyrë do të ndërtohen edhe grupet e konkurruesve. Kandidati e vendos numrin e identifikimit në tavolinë para vendit ku ulet. Kur numri total i konkurruesve nuk plotpjesëtohet me pesë, atëherë dy grupet e fundit mund të jenë në numër më të vogël, por gjithmonë jo më i vogël se tre veta.
·         Anëtarët e grupit do të hyjnë në të njëjtën kohë.
·         Tema e diskutimit do të zgjidhet në mënyrë rastësore nga një përfaqësues i grupit nga masa e tezave të parapërgatitura nga komisioni i përgatitjes së fondit të tezave.
·         Koha në dispozicion të çdo grupi do të jetë deri në 40 minuta. Grupi fillon nga diskutimi menjëherë me marrjen e tezës.
·         Gjatë diskutimit, konkurruesit ulen rreth një tavoline në praninë e komisionit.
·         Komisioni nuk ka të drejtë të bëjë pyetje apo të ndërhyjë gjatë diskutimit të grupit.
·         Tema e diskutimit për intervistimin në grup do të jetë me natyrë të përgjithshme nga rrethi i problematikave të përzgjedhura nga jeta e përditshme, me natyrë filozofike, sociale, familjare, ekonomike, historike, kulturore, personale etj., të ngjashme me to;
·         Fondi i tezave do të ketë të paktën 70-100 situata diskutimi.
·         Pas vlerësimit në grup, të gjithë konkurruesit kalojnë në testimin e gjykimit në situatë pune.
 
1.10.2    Pas testimit të diskutimit të punës në grup të gjithë konkurruesit kalojnë në intervistimin individual. Intervista individuale do të zhvillohet në mënyrë individuale me secilin konkurrues veçmas:
·         Tema e diskutimit do të ketë natyrë të përgjithshme të lidhur me aspekte filozofike, ndërkombëtare, juridike, psikologjike, gazetareske, sociale, ekonomike, historike dhe të tjera të ngjashme me to.
·         Koha në dispozicion të çdo konkurruesi grupi do të jetë deri në 15 minuta.
·         Komisioni ka të drejtë të bëjë pyetje dhe mban shënime për çdo kandidat gjatë intervistës individuale.
·         Gjatë intervistimit individual konkurruesi duhet të parashtrojë temën që i ka rënë për diskutim duke shpalosur njohuritë dhe kulturën e përgjithshme të parë nën këndvështrimin: social, juridik, filozofik, kulturor, letrar, artistik, historik etj., të ngjashme me to.
·         Tema e diskutimit do të zgjidhet nga vetë konkurruesi, nga masa e tezave të parapërgatitura nga komisioni i përgatitjes së fondit të tezave.
 
1.11     Vendimmarrja e komisionit dhe rezultatet e testimit
 
1.11.1    Në mbarim të vlerësimit të testimit, Komisioni përgatit dhe nënshkruan listën e konkurrentëve që konsiderohen të kualifikuar nga ky testim. Lista e kandidatëve i dorëzohet e firmosur nga të gjithë anëtarët e komisionit Drejtorit të Shkollës.
 
1.12     Do të quhen konkurrues të përshtatshëm të gjithë kandidatët që manifestojnë para komisionit  aftësi dhe shprehi individuale dhe psikologjike,  jo më pak se 50 pikë të vlerësimit maksimal me shkrim dhe me gojë të mbledhura së bashku.
 
1.12.1    Çdo anëtar i Komisionit do të bëjë një vlerësim individual sipas listës së treguesve të aftësive të listuara në pikën 3 të kësaj Rregulloreje, të cilat do të pikëzohen individualisht prej tij. Vlerësimi individual i çdo anëtari të komisionit mbetet konfidencial.
1.12.2    Komisioni i testimit do të bëjë, në përfundim të testimit, një vlerësim të unifikuar, i cili do të dalë si mesatare aritmetike e vlerësimeve të secilit anëtar të komisionit.
1.12.3    Vendimi dhe vlerësimi i Komisionit të testimit psikologjik dhe mendor është përfundimtar dhe i paankimueshëm.
1.12.4    Konkurrentët që nuk e kalojnë këtë fazë të testimit kanë të drejtë të njihen me shkaqet e skualifikimit të tyre të përgatitura me shkrim nga komisioni.
1.12.5    Nuk ka seanca të ballafaqimit të konkurruesve me komisionin.
 
5. Shpallja e rezultatit të testimit psikologjik
 
1.1    Rezultatet e testimit do të bëhen publike si pjesë e tabelës përfundimtare të vlerësimit vetëm në formën e listës emërore që kalon nga faza e parë në fazën e dytë të testimit profesional.
1.2    Rezultatet e pikëzuara të testimit, (përveç rezultateve të testimit me shkrim) dhe shkaqet e skualifikimit, për shkak të respektimit dhe të ruajtjes së të dhënave personale, nuk do të bëhen publike, përveçse për vetë konkurruesin/en e interesuar.
 
Shënim: Kjo Rregullore është e miratuar nga Këshilli Drejtues i Shkollës dhe çdo shkelje e saj si nga ana e kandidateve pjesëmarrës në provim ashtu edhe nga stafi i përfshirë në këtë proçes, sjell pasoja për të dy palët.
 
 
Ju urojme suksese!



Njoftime

Mbylle