Logo
Banner Banner Banner Banner Banner Banner

Formimi Fillestar

Banner
Formimi fillestar i kandidatëve për magjistratë përfshin një periudhë tre vjecare që përbëhet nga:...

Formimi i Vazhduar

Banner
Në kuadër të përmbushjes së misionit të saj Shkolla e Magjistraturës ofron formimin e ...

Aktiviteti i fundit

Banner
Aktiviteti i fundit i Shkollës së Magjistraturës ...

DEKLARATË e Këshillit Drejtues së Shkollës së Magjistraturës / 24 qershor 2016

Këshilli Drejtues i Shkollës së Magjistraturës i thirrur sot më datë 24.06.2016 në një mbledhje të jashtëzakonshme dëshiron të informojë opinionin publik, median, institucionet kombëtare dhe ndërkombëtare se distancohet nga procedura e emërimit nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë me short, i 9 magjistratëve (profili gjyqtar), të cilët kanë përfunduar studimet në periudhën 2013-2015.
 
Procedura jo transparente e ndjekur për këtë rast nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë, është në kundërshtim të plotë me Ligjin Nr. 8136, datë  31.07.1996 “Për Shkollën e Magjistraturës së Republikës së Shqipërisë” (i ndryshuar). Në nenin 20 të këtij ligji parashikohet: Drejtoria e shkollës i dërgon Presidentit të Republikës të dhënat e procesit të vlerësimit për të bërë emërimin përfundimtar të tyre në vendet vakante, në përputhje me shkallën e vlerësimit të tyre nga shkolla, pas propozimeve të bëra, përkatësisht, nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë për gjyqtarët dhe nga Prokurori i Përgjithshëm për prokurorët”.
 
Ky vlerësim i magjistratëve ka dy komponentë të rëndësishëm: 1) vlerësimin narrativ, me pesë shkallë: shkëlqyeshëm, shumë mirë, mirë, mjaftueshëm dhe pamjaftueshëm dhe 2) vlerësimin me pikë, që jep sasinë e pikëve të grumbulluara për çdo magjistrat në çdo lëndë apo element të trajnimit fillestar në tre vjet. Për renditjen nuk mund të merret komponenti i parë dhe të neglizhohet komponenti i dytë, sepse në këtë mënyrë vlerësimi nuk është i plotë dhe nuk është i saktë. Nuk ka shkollë pa proces vlerësimi, nuk ka shkollë pa nota, pa pikë e pa diploma. Në të kundërt, shkolla kthehet në një kurs, thjesht me certifikim pjesëmarrje.
 
Argumenti i përdorur se magjistratët kanë të njëjtin vlerësim nuk qëndron. Në listën e magjistratëve të dërguar Shkolla e Magjistraturës dhe të analizuar nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë, të nëntë magjistratët kanë rezultate të ndryshme me pikë. Diferenca midis vendit të parë dhe vendit të fundit është mbi 250 pikë.
 
Standardi ligjor i këtij procesi synon që emërimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve të arrihet nëpërmjet një procesi meritokracie ku renditja në rezultatet e tri viteve nuk është  një vlerësim i mbyllur i Shkollës së Magjistraturës, por i shumë aktorëve të sistemit të drejtësisë.
 
Për herë të parë në historinë e krijimit dhe funksionimit të Shkollës së Magjistraturës, procedura e emërimit sipas meritokracisë, nuk zbatohet nga Presidenti i Republikës dhe Këshilli i Lartë i Drejtësisë, duke vënë në këtë mënyrë në dyshim integritetin e vetë Shkollës. Kjo vendimmarrje njëkohësisht demotivon magjistratët për shkak se shmang konkurrencën dhe ul cilësinë e përgatitjes së tyre, duke e lë procesin në fatin e një shorti të paparashikuar me ligj.
 
Shkolla e Magjistraturës, gjithë brezat e magjistratëve në vite, magjistratët e diplomuar në brezin e fundit  dhe brezat që do të vijnë përballen me një sjellje institucionale të paligjshme në momentin kur kërkohet  reformimi i drejtësisë drejt ndershmërisë, meritokracisë dhe profesionalizmit. Edhe këtë radhë opinion publik përballet me shkeljen dhe deformimin e shtetit ligjor.
 
Gjithashtu, Këshilli Drejtues vlerëson me shqetësim se veprimet e fundit të KLD-së, si:
·         procedura e propozimit me short të emërimeve të kandidatëve për magjistratë të brezit 2012-2015,
·         vonesat e emërimeve të magjistratëve, të cilët presin gjatë për të ushtruar detyrën e gjyqtarit edhe pse brenda sistemit ka vende vakante të krijuara nga transferimet e ndryshme që bëhen ndërkohë,  
·         mos hapja e vendeve të reja vakante për vitin e ri akademik 2016-2017, që shkon në drejtim të kundërt me reformën në drejtësi dhe me nevojën që ka sistemi për gjyqtarë të përgatitur nga Shkolla,
vënë në dyshim misionin e Shkollës së Magjistraturës, për formimin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve me integritet, aftësi dhe cilësi të larta profesionale dhe etike, me qëllim rritjen e cilësisë në dhënien e drejtësisë.
 
Këshilli Drejtues i Shkollës së Magjistraturës u mblodh sot në një mbledhje të jashtëzakonshme duke trajtuar këtë cështje me shpresën që Këshilli i Lartë i Drejtësisë, pas reagimit të drejtë të magjistratëve do të gjente kurajon të vetëkorrigjohej e të mos zbardhte një vendim të paligjshëm dhe të padrejtë, dhe Presidenti i Republikës të mos dekretonte emërimeve të bëra me short.
 
Me këtë dekretim u vendos që të mos zbatohet ligji, të cënohen interesat e magjistratëve, të shkelet parimi i meritokracisë në emërim dhe të goditen themelet e sistemit të drejtësisë dhe roli i Shkollës së Magjistraturës në përgatitjen e magjistratëve cilësorë.



Njoftime

Mbylle