Logo
Banner Banner Banner Banner Banner Banner Banner Banner Banner Banner Banner Banner Banner Banner Banner Banner Banner Banner Banner Banner Banner Banner Banner Banner Banner Banner Banner

Formimi Fillestar

Banner
Trajnimi fillestar i kandidatëve për magjistratë përfshin një periudhë tre vjecare që përbëhet nga:...

Formimi i Vazhduar

Banner
Në kuadër të përmbushjes së misionit të saj Shkolla e Magjistraturës ofron formimin e ...

Aktiviteti i fundit

Banner
Aktiviteti i fundit i Shkollës së Magjistraturës ...

Ceremonia e diplomimit - Magjistratë 2012-2015 dhe Viti i ri akademik 2015-2016

Shkolla e Magjistraturës së Republikës së Shqipërisë organizoi sot ceremoninë e diplomimit të nëntë magjistratëve që përfunduan ciklin tre vjeçar këtë vit akademik, si dhe uroi mirëseardhjen gjashtëmbëdhjetë kandidatëve të rinj për magjistratë që nisën sot programin në Shkollën e Magjistraturës.
Në ceremoni ishin të ftuar personalitete të larta të sistemit të drejtësisë në Shqipëri dhe partnerët ndërkombëtarë. Fjalën hyrëse e mbajti Drejtori i Shkollës, z. Sokol Sadushi, i cili më tej ftoi në fjalët e tyre përshëndetëse Kryetarin e Gjykatës së Lartë, z. Xhezair Zaganjori, Prokurorin e Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla, Ministrin e Drejtësisë, z. Nasip Naço si dhe Zëvendëskryetarin e prezencës së OSBE-së në Shqipëri, z. Robert Wilton, Ambasadorin britanik z. Nicholas Cannon si dhe Ambasadoren e Bashkimit Europian znj. Romana Vlahutin.
 
Fjala përshëndetëse e z. Sokol Sadushi:
 
I nderuar Kryetar i Këshillit Drejtues të Shkollës së Magjistraturës dhe Kryetar i Gjykatës së Lartë,
 
Të nderuar ambasadorë, përfaqësues të Trupit Diplomatik dhe të organizatave ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë,
 
Të nderuar pedagogë, studentë dhe të ftuar,
 
Zonja dhe Zotërinj,
 
 
E hëna e parë e Tetorit, e caktuar me ligj si dita e fillimit të vitit të ri akademik, një moment shumë i veçantë për studentët e sapoardhur në Shkollën e Magjistraturës, kurorëzohet edhe si një ditë solemne për të nderuar 9 magjistratët e profilit gjyqtar, të cilët pas një rrugëtimi të gjatë dhe të mundimshëm, i përfunduan me sukses studimet. Çdo gjë e realizuar në këtë ceremoni, si dhe prania e shumë miqëve dhe, në veçanti, e personaliteteve vendase e të huaja, është për t’iu nderuar Ju.
Ndjehem shumë i privilegjuar që, më jepet rasti, të nderuar magjistratë, për t’iu shpallur zyrtarisht si të diplomuarit më të rinj të Shkollës së Magjistraturës.
 
Urime!
 
          Nëse e ktheni vështrimin prapa, tri vite më parë, ashtu siç sot shihni  përpara jush 16 studentët e rinj, do të kuptoni se nuk ka qenë e lehtë për të ardhur deri këtu. Do të doja t’iu risillja në vëmendje ditën kur Ju mbërritët në dyert e Shkollës së Magjistraturës. Mund t’iu kujtohet ankthi, por edhe gëzimi që keni ndjerë në çastet e para të shpalljes së rezultatit, ku emrat tuaja rezultonin në krye të listës së konkurentëve, si fitues; kur më pas, me fillimin e programit ndodheshit përpara të panjohurave, të merakosur për përballimin e ngarkesës mësimore, për sfidat që ju prisnin, por edhe të dëshiruar për thellimin e dijeve. 
Ka qenë përgjegjësia, profesionalizmi, përkushtimi, ndershmëria dhe objektiviteti i pedagogëve të nderuar të Shkollës së Magjistraturës, mbështetja në vijimësi e organeve drejtuese të saj, por edhe asistenca e pakursyer dhe e vazhdueshme e stafit administrativ, të cilët meritojnë një vlerësim dhe mirënjohje të veçantë, që ka ndikuar në formimin tuaj profesional. Ne nuk pretendojmë se jemi të parët në edukimin tuaj. Ne kemi bërë detyrën tonë, por merita kryesore ju përket Juve, që e arritët këtë moment të magjishëm.
Nuk mund të lë pa përmendur se pas çdo njërit prej jush qëndrojnë mundimet e përpjekjet edhe të atyre që ju mbështetën dhe ju inkurajuan. Një mirënjohje dhe nderim i veçantë për familjet, për miqtë dhe për të gjithë të dashurit tuaj.
 
Të nderuar magjistratë.
 
Tashmë, diplomën prestigjoze të Shkollës së Magjistraturës, me vlera të mëdha për edukimin juridik në Shqipëri, sapo e keni fituar. Ky është veçse fillimi për arritjen e një objektivi, përmes një rruge të mundimshme e me sakrifica, që është projektuar në vizionin tuaj. Ndaj momente si ky ngarkohen edhe me shqetësimin për sfidat e së ardhmes.
Unë shpresoj dhe besoj se kemi bërë maksimumin për t’iu përgatitur për përballjet e shumta që ju presin.
Kur Ju jeni bërë pjesë e Shkollës së Magjistraturës, keni menduar se si duhet të njihen më mirë ligjet. Tashmë ju keni arritur një zotërim shumë më të mirë të tyre. Njohja e ligjit kërkon një kuptim të thellë të paprekshmërisë dhe të qëllimit që ka. Prandaj do të duhet të shfaqni humanizëm, maturi, mençuri, guxim, ndershmëri dhe dinjitet, me qëllimin që e drejta të bëhet.
Një tjetër cilësi, të cilën shpresoj të kemi kultivuar tek ju është besimi. Nuk mjafton fitimi i kësaj diplome për të shmangur lehtësisht vështirësitë me të cilat do përballeni. Ju duhet të besoni se reagimi juaj, ashtu si edhe marrja e përgjegjësisë ndaj këtyre sfidave, do të sjellë ndryshimin. Prandaj, jepjuani mundësinë njerëzve që t’iu besojmë, ashtu siç duhet t’i zhgënjeni ata që nuk ju besojnë.
Çështjet e drejtësisë nuk lidhen thjesht dhe vetëm me pasjen e koncepteve për ligjin, por me vizionin dhe synimin që Ju duhet të keni, për t’i dhënë legjitimitetin e duhur togës së gjyqtarit. Unë shpresoj t’iu kemi inkurajuar në vizionin për të ardhmen. Ju e keni fituar mbështetjen e kësaj Shkolle, e cila do t’ju qëndrojë pranë gjatë gjithë karrierës tuaj.
Ju, të nderuar magjistratë, përgatiteni të filloni detyrën si gjyqtarë në një moment historik për vendin. Reforma në drejtësi është një ndër kushtet për integrimin e Shqipërisë në BE. Mënyra si ka nisur dhe po ecën kjo reformë, me një pritshmëri mjaft të lartë nga opinioni publik, por edhe aq shumë e mbështetur dhe e asistuar nga partnerët ndërkombëtarë, të cilët janë bërë një pjesë vitale e saj, ka motivuar, por edhe bindur gjithsecilin prej nesh, që është pjesë e ekspertizës në këtë proces, se për ndërtimin mirë të së ardhmes tonë, duhet të dimë të bëjmë tani, zgjedhjen e duhur. Dhe ne shpresojmë se e kemi bërë.
Duke u bërë pjesë e sistemit gjyqësor edhe Ju e keni bërë zgjedhjen tuaj. Ju duhet ta dini, se si funksionon, në të vërtetë sistemi, por edhe duhet të jeni të gatshëm të kontribuoni për atë, që ai duhet të jetë. Prandaj, kërkohet të keni një motiv të fortë për të bërë që sistemi i drejtësisë të mos etiketohet si një sistem joefikas, i prekur nga presioni dhe ndikimi politik, kërcënimet dhe korrupsioni.
Ju duhet të dini se një gjyqtari i duhet integritet, kurajo, durim dhe maturi për të vepruar në emër të së drejtës. Unë dhe të gjithë ne besojmë se është profesionalizmi, qëndrueshmëria e parimeve morale, karakteri dhe virtytet e larta, korrektësia dhe lidhja me të vërtetën, drejtësia dhe ndershmëria, që do t’ju bëjnë të pathyeshëm ndaj çfardo lloj sulmi dhe që kontribuojnë në cilësinë e vendimmarrjes dhe në pavarësinë e gjykatës.
Sot, të gjithë ne, duhet të jemi krenar për Ju; Dhe të tillë do të dëshironim të ndiheshim gjatë gjithë rrugëtimit tuaj.
 
Fat të mbarë në misionin tuaj të ri, të nderuar magjistratë.
 
Suksese edhe ju studentë të sapoardhur në Shkollën e Magjistraturës.
 
Urime të gjithëve dhe gëzojeni këtë moment të veçantë në jetën tuaj.
 
 
 



Njoftime

Mbylle